Sport

Prishtina kërkon t’ia shkaktojë humbjen e parë Ballkanit

Kampionia në fuqi, Prishtina është e vendosur t’ia shkaktojë Ballkanit humbjen e parë këtë sezon në Superligën e Kosovës në futboll, në duelin që luhet të dielën në Suharekë.

Ballkani është ekipi i vetëm që nuk di ende për humbje dhe Prishtina po synon t’ia ndalë këtë seri ekipit nga Suhareka në ndeshjen e xhiros së 11-të të Superligës, që nis në orën 13:30.

Ballkani është lider në tabelë me 18 pikë të mbledhura, pesë më shumë se Prishtina që renditet e pesta. Në tetë ndeshje të luajtura deri më tani, Ballkani ka gjashtë fitore karshi katër humbjeve dhe në duelin e fazës së parë, ekipi i Bekim Isufit pati triumfuar 1:0 ndaj Prishtinës në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Prishtina në këtë ndeshje futet pas fitores që e arriti në xhiron e fundit ndaj Malishevës, e që erdhi pas një serie prej dy barazimeve dhe një humbjeje. Ndërkohë, Ballkani ka marrë vetëm dy pikë në dy ndeshjet e fundit. Si Prishtina ashtu edhe Ballkani pritet të mos kenë mungesa për këtë derbi.

Në të vërtetë, kjo edhe do të jetë ndeshja më interesante e kësaj xhiroje dhe e vetmja që zhvillohet 30 minuta më vonë se të gjitha duelet. Kjo është ndeshja që edhe mbyll xhiron e 11-të të elitës së futbollit kosovar.

Të dielën, por prej orës 13:00, do të zhvillohet edhe përballja ndërmjet Drenicës dhe Dukagjinit në stadiumin “Bajram Aliu”, në Skenderaj.

Xhiroja do të hapet të shtunën me tri ndeshje, ndërsa vëmendja do të jetë në stadiumin në Merdar, ku skuadra e Llapit e pret nënkampionen në fuqi, Dritën.

Llapi është në një seri fantastike pasi ka shënuar tri fitore në tri ndeshjet e fundit, që janë edhe të vetmet këtë edicion për ekipin e trajnerit Tahir Batatina. Llapi është i shtati në tabelë me 12 pikë të mbledhura, katër më pak se Drita që gjendet tri pozita më lart. Drita në xhiron e fundit e mposhti Feronikelin për t’i dhënë fund serisë prej katër ndeshjeve rresht pa fitore, ku pati dy barazime e dy humbje.

Skuadra e Gjilanit, që ka vetëm një pikë më pak se Ballkani, e pret në shtëpi Feronikelin dhe me fitore eventuale mund të ngjitet në pozitën e parë në tabelë përkohësisht.

Ndërkohë, Malisheva synon tri pikët ndaj Ulpianës së fundit në tabelë. Malisheva nuk di për fitore në pesë ndeshjet e fundit, ku ka regjistruar tri humbje dhe dy barazime.