La Liga e zhvillon xhiron e 19-të këtë fundjavë, që shënon gjysmën e kampionatit në elitën e futbollit spanjoll.
Ndeshje e madhe do të luhet sërish në stadiumin “Santiago Bernabeu”, pas derbit të Madridit në Kupën e Mbretit.
Real Madridi të enjten e eliminoi në çerekfinale Atletico Madridin pas vazhdimeve, 3:1.
Të dielën nga ora 21:00, Reali do të jetë nikoqir i Real Sociedadit.
Reali është i dyti në tabelë me 41 pikë, vetëm dy më shumë se Real Sociedadi. Lidere është Barcelona me 44 pikë.
Sociedadi në këtë udhëtim do të shkojë me formë të mirë.
Seria e nëntë fitoreve u ndal në disfatën 1:0 nga Barcelona, por kundër Realit, Sociedadi nuk do t’i ketë në skuadër Mikel Merinon dhe David Silvan. Që të dy janë të lënduar.
Barcelona ndërkohë do të ketë udhëtim të shkurtër.
Luan në udhëtim te Girona, pas suksesit në Kupën e Mbretit.
Barça e Xavi Hernandezit në këtë ndeshje mund të mos e ketë mesfushorin Pedri, i cili ka pësuar lëndim muskulor. Ndërsa Robert Lewandowski nuk do të luajë shkaku i suspendimit me tri ndeshje.
Megjithatë, formë të mirë po kalojnë Ousmane Dembele, Ansu Fati dhe Raphinha.
Madje, Dembele ishte realizator i golit të vetëm në kualifikimin e Barcelonës në Kupën e Mbretit ndaj Sociedadit.
Girona – Barcelona zhvillohet të shtunën në orën 16:15.
Gjysmëfinalistja tjetër e Kupës së Mbretit, Osasuna, që e eliminoi Sevillan, do të luajë me Atletico Madridin të dielën në orën 16:15.