Me shumë rivalitet ishte ndeshja në mes të Vushtrrisë dhe Istogut e luajtur në fund të qershorit në finale të Kupës së Kosovës në hendboll (femrat). Finalen e fitoi Vushtrria për të vazhduar rivalitetin e madh me Istogun, klubin që aktualisht investon më së shumti në hendbollin e femrave në vend.
Hap tutje në rivalitetin mes Istogut e Vushtrrisë do të bëhet të shtunën (sot) kur dy skuadrat për herë të parë takohen në kuadër të garave evropiane. Ndeshja që luhet në Samadrexhë të Vushtrrisë nga ora 18:00 është e para e raundit të dytë të Kupës Evropiane.
Deri më tani skuadrat kosovare nuk janë përballur mes vete në gara evropiane. Por për shkak të kufizimeve që janë bërë këtë edicion pas telasheve me udhëtim për shkak të COVID-19, kjo u bë e mundur këtë edicion, transmeton KOHA.
Vushtrria ka vendosur ta organizojë ndeshjen në Samadrexhë, fshat në afërsi të qytetit të Vushtrrisë, për faktin se palestra “Jeton Tërstena – Tota” nuk i plotëson kriteret për ndeshje evropiane. Ndërkohë në Samadrexhë është ndërtuar palestra e re dhe ndeshja e parë që luhet në të është ajo në mes të Vushtrrisë dhe Istogut. Samadrexha njihet si fshat i hendbollit.
Ndeshja do të luhet pa shikues në palestër.
“Do të na mungojnë tifozët në tribuna, por do të mundohemi të japim më të mirën për gjithë qytetin e Vushtrrisë, që jeton me hendbollin. E dimë që përballë e kemi një skuadër mjaft cilësore, që në radhët e saj ka pesë lojtare që nuk janë nga Kosova. Prandaj lirisht mund të them se do të jetë një lojë e fortë. Por vajzat tona janë të përgatitura për takimin e së shtunës dhe do të japin maksimumin që të dalin fituese”, ka thënë trajneri i Vushtrrisë, Arben Parduzi, të premten. “Kemi pasur probleme me organizim të ndeshjes duke pasur parasysh rrethanat në të cilat jemi tash e tetë muaj me virusin COVID-19. Na është dashur të përballemi me problemin e palestrës, por i kemi zbatuar të gjitha masat dhe në fund pasi kemi bërë testin për COVID-19, ka dalë negativ e gjithë skuadra. Pasi palestra në Vushtrri nuk i ka plotësuar kushtet për lojën ndërkombëtare, loja do të luhet në palestrën e Samadrexhës”, ka shtuar ai.
Vushtrria ka ruajtur bazën e skuadrës nga edicioni i kaluar, ndërsa ka bërë edhe dy përforcime nga Prishtina.