Sport

Istogu synon që me spektakël të kalojë në raundin e tretë të Kupës Evropiane

Klubi i femrave në hendboll, Istogu, ka krijuar një epërsi të madhe drejt kalimit në raundin e tretë të Kupës Evropiane. Të shtunën në sallën e re në Samadrexhë, Istogu mposhti Vushtrrinë me pesë gola dallim, 26:21.

Por te Istogu synojnë fitore edhe më të thellë në ndeshjen e dytë që luhet të shtunën tjetër në sallën e re në këtë qytet.

Trajneri i Istogu, Faruk Shala, thotë se kërkon nga hendbollistet të dhurojnë edhe spektakël.

“Pres lojë të mirë me aksione të mira, në mënyrë që të kënaqen gjithë dashamirët tanë”, ka thënë Shala të dielën për KOHËN.

Shala është i lumtur që festën për kalim tutje do ta bëjnë në palestrën e re në Istog, që është edhe përurim i punimeve që u përfunduan pas 16 vjetësh.

Ndeshja e luajtur në Samadrexhë me Vushtrrinë vendëse ishte edhe ndeshja e parë e raundit të dytë të Kupës Evropiane. Ishte edhe përballja e parë e dy skuadrave kosovare në kuadër të garave evropiane. Kupa Evropiane është niveli i tretë evropian.

Shala ka thënë se fitorja e arritur ishte e rëndësishme për ta bërë hapin e madh drejt kalimit tutje.

“Ishte një fitore shumë e rëndësishme për ne, sepse është fitore e arritur në udhëtim dhe me këtë triumf ne kemi bërë një hap drejt kualifikimit tutje”.

Ai thotë se ndeshja nuk ka shkuar në mënyrën më të mirë. Në fakt, istogaset vetëm në pjesën e dytë arritën ta tregojnë forcën e tyre, meqë pjesa e parë ishte e barabartë, me dominim të lehtë nga vendëset që në pushim shkuan me një gol epërsi, 11:10.

“Ndeshja nuk ka shkuar siç kemi dashur, pasi në pjesën e parë jemi ballafaquar me vendime të njëanshme nga ana e gjyqtarëve të ndeshjes dhe kjo ka bërë që skuadra të jetë e nervozuar dhe në momente pati shpërqendrim. Më është dashur kohë për ta kthyer qetësinë në skuadër dhe në pjesën e dytë ndryshuam strategjinë e lojës duke zhvilluar lojë më të shpejtë. Falë përgatitjes së mirë fizike bëmë diferencën në rezultat. Jam i kënaqur me angazhim dhe pres angazhim edhe më të madh në ndeshjen në Istog”, ka theksuar Shala.

Ai ka shtuar se ndeshja të shtunën e ardhshme do të jetë e veçantë për gjithë qytetarët e Istogut.

“Jemi përgatitur ta fitojmë këtë ndeshje dhe kemi qenë të bindur se do t’ia dalim, por nuk ka qenë edhe aq e rëndësishme me çfarë rezultati. E rëndësishme për ne ishte fitorja jo sa e thellë do të jetë, pasi kemi qenë të vetëdijshëm që do ta kemi edhe ndeshjen kthyese që është goxha e veçantë, pasi për herë të parë luajmë në qytetin tonë, në Istog. Do të jetë një natë e këndshme dhe festive për ne, njëherësh edhe emocionuese që do të luajmë në një palestër të re ku shpresojmë të kemi goxha suksese”, është shprehur Shala.

Për këtë edicion Istogu është përforcuar me lojtaren e kthyer, Esma Muratoviq, që në ndeshjen ndaj Vushtrrisë shënoi 12 gola.