I zjarrtë dhe shumë interesant ka qenë dueli i parë i skuadrave shqiptare në rrethin e dytë kualifikues të Kupës Evropiane në hendboll. Të shtunën në palestrën e sporteve në Istog, klubi i hendbollit (femrat) e fitoi ndeshjen e parë ndaj skuadrës nga Shkupi, Çairit, me vetëm një gol dallim. Dhe ndeshja u vendos krejt në fund.
Dueli mes Istogut e Çairit u mbyll me rezultatin 34:33.
Pjesa e parë nisi me gola nga të dyja skuadrat. Asnjëra nuk arriti të shkëputej në më shumë se një gol epërsi. Por, pas 23 minutave lojë, Istogu u shkëput në tri gola epërsi, 14:11. Megjithatë, mysafiret nuk u dorëzuan dhe u kthyen në lojë, por të udhëhequrat e Faruk Shalës, megjithatë, shkuan në pushim 17:14.
Edhe në pjesën e dytë loja ishte e barabartë, ndonëse istogaset ishin për një nuancë më të mira. Krijuan epërsi prej gjashtë golave, që ishte më e thella në ndeshje, 27:21, pas 47 minutave lojë.
Kur u duk se gjithçka do të përfundonte lehtësisht, mysafiret e udhëhequra nga Basri Latifi, u kthyen në lojë sërish. Madje krejt në minutën e fundit e patën mundësinë t’i barazonin shifrat, por dështuan në përfundimin e aksionit. Braziliania Tainara Luna Concalves fitoi topin në mbrojtje duke ndalur kundërsulmin e shpejtë. Ishte edhe ndërhyrja vendimtare në fitore. Rezultati në fund ishte 34:33 në të mirë të Istogut.
Arlinda Dinarica ishte më e dalluara te skuadra e Istogut me tetë gola të shënuar, ndërsa braziliania Luna ndihmoi me shtatë gola të tjerë.
Edhe
Istogut nuk i mjaftoi fitorja e parë, ndalet nga Çairi në Kupën Evropiane
Te Çairi shkëlqeu Teodora Gulicoska me plot 10 gola, por të pamjaftueshme për ta shmangur disfatën në ndeshjen e parë.
Një numër i madh i tifozëve ishte mbledhur për ta parë ndeshjen e parë kualifikuese të Kupës Evropiane të rrethit të dytë.
Dueli tjetër do të zhvillohet të dielën dhe vendos për skuadrën që do të kualifikohet tutje.