Transferimi i ri i Milanit, Charles De Ketelaere, është i nderuar nga krahasimet që po i bëhen me ish-heroin e kuqezinjve, Leite Kak dhe shpreson se ai mund të arrijë aq shumë me klubin sa braziliani. 21-vjeçari De Ketelaere, u prezantua zyrtarisht të premten, pak pasi përfundoi një transferim prej rreth 32 milionë eurosh nga Club Brugge. Mesfushori i talentuar ka nënshkruar kontratë pesëvjeçare me kampionin e Serie A.
Kaka luajti për Milanin nga viti 2003 deri në vitin 2009 - dhe përsëri në sezonin 2013/14 - duke e ndihmuar klubin ta fitojë trofeun e Ligës së Kampionëve në vitin 2007, në të cilin, ai ishte gjithashtu golashënuesi më i mirë i garës më elitare të Evropës. Ai gjithashtu fitoi Kupën e Botës me Brazilin, fitoi “Topin e Artë” dhe u shpall edhe lojtari i vitit nga FIFA.
“Kam parë shumë video të Kakas, ai ishte një lojtar fantastik. Unë kam karakteristikat e mia, por shpresoj të jap një kontribut të ngjashëm me atë që ai bëri”, tha De Ketelaere. “Milani ka një histori dhe tradita të shkëlqyera, shumë legjenda kanë luajtur këtu, por mendoj se është e drejtë të fokusohemi në të ardhmen, siç po bën klubi”.
Fokusi i Milanit në të ardhmen mund të shihet edhe në bollëkun e lojtarëve të rinj që i ka në ekip. Ishte pikërisht, përzierja e lojtarëve të rinj me ata më përvojë që ndihmuan Milanin për t'i dhënë fund pritjes 11-vjeçare për titullin e kampionit të Italisë. Dhe, De Ketelaere tha se kjo luajti një rol të rëndësishëm në vendimin e tij për t'u bashkuar me ekipin italian.
“Për mua ishte e rëndësishme të shihja lojtarë të rinj të rriteshin dhe të bënin mirë këtu. Ju e shihni në të kaluarën e afërt që lojtarët e rinj bëhen më të mirë këtu dhe ata e bëjnë ekipin më të mirë, kështu që ishte mirë ta shihje këtë, dhe sigurisht që bëri një ndryshim të madh në zgjedhje”, tha reprezentuesi i Belgjikës. “Skuadra është forcuar duke u dhënë hapësirë dhe mundësi lojtarëve të rinj premtues dhe unë gjithashtu shpresoj të kem mundësinë time këtu”.
Milani nuk e ka fituar Ligën e Kampionëve që nga koha e Kakas dhe u kthye në këtë garë vetëm vitin e kaluar pas një mungese të gjatë. Por rikthimi i tij ishte i shkurtër pasi kuqezinjtë u eliminuan në fazën e grupeve, duke e fituar vetëm një ndeshje.
“Të bësh mirë në Ligën e Kampionëve është një nga synimet e këtij ekipi”, tha De Ketelaere. “Nuk do të jetë e lehtë, por ne do të japim gjithçka për të kaluar fazën e grupeve dhe për të qenë konkurrentë të fortë në fazën e nokautit”.
Sezoni 2022/23 në Itali nis më 13 gusht, ndërsa Milani mbrojtjen e titullit në shtëpi kundër skuadrës së Udineses.