Kevin De Bruyne shpreson të kurorëzojë dhjetë vjetët e lavdishëm të David Silvas te Manchester City duke kompletuar setin e medaljeve të mesfushorit spanjoll me një triumf në Ligën e Kampionëve muajin e ardhshëm, shkruan AFP.
Silva ka fituar katër tituj kampioni në Premier League në mesin e 11 trofeve kryesorë që nga transferimi i tij te City në verën e vitit 2010, si dhe kupën e Botës dhe dy Kampionate Evropiane në nivelin ndërkombëtar me Përfaqësuesen e Spanjës. Mesfushori 34-vjeçar nuk e ka shijuar kurrë lavdinë e Ligës së Kampionëve, por ai ka një shans të fundit me futbollistët e tjerë të Cityt që janë nën urdhrat e trajnerit Pep Guardiola, pasi kontrata e tij me ekipin skadon në fund të këtij edicioni.
Në fakt, Silva pas përfundimit të kontratës do të largohet nga City për t’u kthyer në vendlindje, ku edhe synon ta mbyllë karrierën si futbollist aktiv.
City do të rifillojë garat në Ligën e Kampionëve në “Etihad Stadium” kundër Real Madridit më datën 7 gusht, pas fitores 2:1 në ndeshjen e parë në Madrid në kuadër të 1/8 së finales. Fituesi do të kualifikohet në çerekfinale, që do të zhvillohet në një vend neutral – Lisbonë.
De Bruyne shënoi dy herë në ndeshjen e fundit të Silvas në Premier League, ku City triumfoi 5:0 ndaj Norwich Cityt dhe e cilësoi partnerin e tij të mesfushës si njërin prej lojtarëve më të mirë që ka luajtur ndonjëherë në kampionatin anglez.
“Për mua ai është një nga lojtarët më të mirë që ka luajtur ndonjëherë në Premier League. Këtë e them me bindje të plotë, pasi kam luajtur për pesë vjet përkrah tij. Silva e bën dallimin në mesfushë”, ka insistuar belgu De Bruyne. “Ne kemi fituar shumë së bashku, luajmë mirë së bashku. Ne e plotësojmë njëri-tjetrin vërtet mirë dhe në mënyra të ndryshme. Dhe ai është një djalë shumë i mirë. Largimi i tij do të jetë një humbje e madhe. Do të ishte mirë nëse mund të fitonim Ligën e Kampionëve në mënyrë që ta nderonim si një kampion të vërtetë. Shpresoj të arrijmë këtë për shkak të Silvas”.