Sport

Davitkov sjell te Peja përvojën e madhe dhe vendosmërinë për sukses

Pas 13 vjetësh në Lindjen e Mesme, trajneri i mirënjohur i basketbollit nga Maqedonia e Veriut, Jordanço Davitkov, është kthyer për të punuar në Evropë. Dhe për pjesën e dytë të këtij edicioni Davitkov do ta udhëheqë Pejën në Superligën e Kosovës në basketboll.

Ai te Peja u zyrtarizua të mërkurën, pas largimit të turkut Shemsettin Bash, kurse është trajneri i tretë këtë edicion te pejanët, të cilët startuan me kroatin Edi Xhelalija.

Davitkov të enjten mbrëma ka mbajtur stërvitjen e parë me Pejën, kurse në krye të ekipit do të debutojë të dielën në kuadër të xhiros së 15-të, me të cilën edhe nis stinori pranveror. Peja të dielën e pret Sigal Prishtinën në palestrën “Karagaçi” dhe Davitkov beson se ekipi i tij do të jetë gati për këtë duel.

“Tashmë kam nisur punën me Pejën dhe do të debutoj kundër Prishtinës. Pres të jetë një ndeshje interesante dhe ekipi të reagojë pas pushimit, ndonëse kemi disa lëndime te lojtarët”, është shprehur Davitkov për KOHËN, të premten. Ai pret aktivizimin e Dardan Berishës pas mungesës në pesë ndeshjet e fundit shkaku i lëndimit.

Davitkov thotë se situata me pandeminë e detyroi të largohet nga Lindja e Mesme. Ai ka punuar në Dubai dhe Kuvajt, vende këto në të cilat nuk i kanë munguar sukseset. Në këto vende Davitkov ka fituar trofe, përfshirë këtu titullin e kampionit të Kuvajtit tri herë me ekipin BC Qadsia (2008-2011). Ai për një sezon ka punuar te Al Jahraa. Davitkov ka qenë edhe përzgjedhës i Kuvajtit, ku arriti të fitojë medaljen e bronztë në kampionatin e shteteve të Lindjes së Mesme.

Pas largimit nga Kuvajti ka punuar te Al Wasl Dubai, Al-Shaab CSC e Baniyas përpara se të kthehet sërish te Al Qadsia. Para shkuarjes në Lindjen e Mesme, Davitkovit sukseset nuk i kanë munguar as në Maqedoninë e Veriut, ku ka udhëhequr skuadrat si Rabotniçki, Nikol Fert, Polo Trejd, Nemetali e Strumica. Madje me Rabotniçkin ka fituar tetë trofe, katër tituj kampioni dhe katër Kupa të Maqedonisë së Veriut. Në dy raste Davitkov ka qenë edhe në krye të Përfaqësueses së Maqedonisë së Veriut kurse suksesin më të madh e arriti me kualifikimin në Kampionatin Evropian të vitit 2003.

“Pas 13 vjetëve në Lindjen e Mesme vendosa të kthehesha për shkak të situatës me koronavirusin. Kur u ktheva në Shkup kam pasur shumë oferta por asnjëra nuk më tërhoqi dhe vendosa të prisja pak. Pastaj erdhi oferta e Pejës dhe pasi është afër nga Shkupi arritëm marrëveshjen”, pranoi Davitkov.

Ai insiston se te Peja ka ardhur për trofe dhe beson se ekipi i tij do të jetë kandidat potencial që në fund të sezonit të shpallet kampion. Megjithatë, Davitkov pranon se nuk do të jetë lehtë për shkak se thotë që konkurrenca do të jetë e fortë. Ai pret që stinori pranveror të jetë i nivelit shumë të lartë. Vlerëson përforcimet që i kanë bërë ekipet kohët e fundit.

“Kam fituar shumë tituj në karrierë dhe jam një trajner që gjithmonë shkoj te një ekip që ka synime për trofe. Nuk jam i interesuar të drejtoj ekip vetëm sa për të mbyllur edicionin. Kështu që te Peja kam ardhur për trofe dhe besoj se ekipi ka gjasa të mira për ta përfunduar sezonin me sukses”, u shpreh Davitkov.

“E njoh mirë ligën e Kosovës pasi këtu kanë punuar shumë trajnerë nga Maqedonia e Veriut. Po ashtu me Maqedoninë kam luajtur kundër Kosovës dhe basketbolli këtu nuk është i panjohur për mua. Kam përcjellë edhe lëvizjet e ekipeve kohët e fundit dhe mund të them se ky edicion do të jetë i fortë dhe tejet interesant. Tani për tani katër ekipe janë shumë të forta”.

Davitkov vlerësoi lart skuadrën e Yllit që gjatë këtij afati kalimtar ka kthyer Erjon Kastratin e Gëzim Morinën derisa pranoi që ekipe të forta kanë edhe Ponte Prizreni e Rahoveci. Davitkov beson se deri në fillim të muajit tjetër Peja do të jetë në formë të mirë dhe e kompletuar edhe me lojtarët e lënduar.

“Kam fituar mjaftueshëm dhe normal që dua të vazhdoj. Unë gjithmonë dua më të mirën nga vetja dhe ekipi. Kemi disa lojtarë të lënduar dhe do të jetë problem të kompletohemi shpejt edhe për shkak të orarit të ngarkuar të ndeshjeve. Ka kohë deri në fund të sezonit edhe pse besoj që deri para fillimit të garave të kupës nuk do të kemi telashe”, u shpreh Davitkov. “Sigurisht se do ta ndërroj sistemin e lojës, sidomos në sulm, por do të punojmë edhe në mbrojtje. Nuk është lehtë kur e merr ekipin në gjysmë të sezonit për shkak se duhet të nisësh gjithçka nga zeroja. Kemi disa ditë në dispozicion të përgatitemi, sidomos fizikisht dhe taktikisht dhe pres ta bëjmë këtë”.

Stinori pranveror në Superligën e meshkujve nis të shtunën me dy ndeshje. Në palestrën “Mizahir Isma”, kampioni vjeshtor Rahoveci e pret skuadrën e Vëllaznimit në duelin që nis prej orës 15:00. Ndërsa, në orën 17:00 në Prizren do të përballen Bashkimi me Trepçën, ekip që zë vendin e fundit në tabelë dhe nuk di për fitore prej xhiros së katërt. Të dielën, krahas duelit mes Pejës e Sigal Prishtinës, do të luhet edhe dueli mes Ponte Prizrenit e Golden Eagle Yllit që nis prej orës 17:00.


Superliga – XV

E shtunë

Rahoveci – Vëllaznimi (15:00)

Bashkimi – Trepça (17:00)

E diel

Peja – S. Prishtina (15:00)

P. Prizreni – G.E. Ylli (17:00)
 

  1. Rahoveci 14 25
  2. P. Prizreni 14 24
  3. Peja 14 23
  4. G.E. 14 22
  5. Bashkimi 14 22
  6. S. Prishtina 14 18
  7. Vëllaznimi 14 18
  8. Trepça 14 16