Basketbollisti i Trepçës, Kevin Davis ishte lojtari më i dalluar në xhiron e dytë të Superligës së Kosovës, e cila u zhvillua vikendin e fundit. Davis është shpallur MVP i kësaj xhiroje, ka njoftuar Federata e Basketbollit të Kosovës, të hënën.
Ai kontribuoi në fitoren e Trepçës ndaj Sigal Prishtinës me 19 pikë e nëntë kërcime, për ta marrë epitetin e basketbollistit më të mirë. Për Davisin, kjo është hera e dyta që shpallet MVP, pasi me këtë çmim u nderua edhe në Superkupën e Kosovës, turne në të cilin triumfoi Trepça.
Krahas Davisit, FBK-ja edhe këtë javë ka zgjedhur pesëshen më të mirë të xhiros së dytë. Pjesë e kësaj pesëshe janë edhe Valon Bunjaku i Golden Eagle Yllit, John Chandler e Lis Shoshi të Pejës, si dhe Samir Zekiqi i Bashkimit. Pas dy xhirove të zhvilluara deri më tani në elitën e basketbollit kosovar, Trepça, Peja e Bashkimi, janë ekipet e vetme që nuk dinë për humbje.