Thuhet se Parisi është qyteti i dashurisë, prandaj nuk është çudi që Mauricio Pochettino u magjeps me sharmin e ekipit të futbollit nga kryeqytetit i Francës. Ish-trajneri i Tottenhamit është zgjedhur për ta zëvendësuar gjermanin Thomas Tuchel në krye të skuadrës së Paris Saint-Germainit. Disa ditë pas shkarkimit të gjermanit, u zyrtarizua emërimi i argjentinasit Pochettino në postin e trajnerit.
“Parisi është qyteti im i dashur, derisa PSG-ja është si shtëpia ime. Kam kujtime të mira këtu dhe gjithmonë jam ndier krenar për të kaluarën time te kjo skuadër. Tani po kthehem në një rol tjetër dhe do të bëj të pamundurën për t’i gëzuar tifozët edhe si trajner”, ishin disa prej fjalëve të para të Pochettinos gjatë prezantimit të tij si trajner i PSG-së.
Si qendërmbrojtës, Pochettino, tani 48-vjeçar, gëzoi vitet e tij më të mira si lojtar në stadiumin “Parc des Princes”, ku për një periudhë ishte edhe kapiten i klubit parisien.
Pochettino, jo vetëm që rizbuloi formën e tij te PSG-ja si lojtar, por edhe mori ftesë nga Përfaqësuesja e Argjentinës për Kampionatin Botëror të vitit 2002. Ai te PSG-ja ishte bashkëlojtar me futbollistët e profilit të lartë, përfshirë këtu edhe brazilianin Ronaldinho. Ekipi atëbotë mund të mos ketë qenë aq i suksesshëm sa i përket fitimit të trofeve, por u lavdërua për stilin e lojës nën drejtimin e trajnerit Luis Fernandez. Pochettino asnjëherë nuk e ka fshehur dëshirën për ta menaxhuar ekipin që e bëri atë të dashurohej me lojën e bukur përsëri.
Gjatë viteve, Pochettino ka theksuar dëshirën e tij për t'u kthyer në PSG - shtëpinë e tij shpirtërore, siç e quante ai. Në vitin 2016 ai flirtoi me klubin që tashmë po e drejton, duke zbuluar se ëndërron që një ditë të jetë në krye të PSG-së, ekip i të cilit është tifoz i zjarrtë.
Edhe“Unë gjithmonë kam thënë se do të isha i kënaqur të bashkohesha me një klub të shkëlqyeshëm si PSG-ja. Tani jam kthyer dhe ndihem krenar, sepse do ta drejtoj klubin ku i kam kaluar vitet më të mira si lojtar”, pranoi Pochettino.
Me ekipin e ri, atë të zemrës, Pochettino ka synime të mëdha. Ai synon që trofetë që nuk arriti t’i fitojë si lojtar, t’i rrëmbejë si trajner për të plotësuar boshllëkun në karrierën e tij.
“I kam shikuar të gjitha ndeshjet e PSG-së pasi jam tifoz i zjarrtë. Dhe tani do të mundohem t’i fitoj të gjitha ndeshjet dhe trofetë, veçanërisht atë të Ligës së Kampionëve. Do të ishte diçka madhështore të arrijmë suksese të mëdha së bashku. Ky edhe është synimi im”, shtoi Pochettino.
Edhe ish-shoku i ekipit, Didier Domi, beson se emërimi i Pochettinos është një veprim më se i duhur nga drejtuesit e PSG-së. Madje, sipas Domit, Pochettino “tashmë i përket familjes” së PSG-së.
“Ai është njeriu më i duhur për ta drejtuar një ekip të madh si Parisi. Vetëm me Pochettinon, PSG-ja mund të ketë sukses, sepse ai është i lidhur me klubin. Pochettino di se si të menaxhojë presionin dhe idetë e tij të futbollit qëndrojnë pranë Parisit. Ai i ka të gjitha kartat në dorë për të fituar trofe”, tha Domi.
EdheDhe sa i përket vetë qytetit të Parisit, Pochettino thuhet se e donte kohën e tij që e ka kaluar në Francë - duke qenë i entuziazmuar nga kultura e pasur që lulëzon nga qyteti.
Ashtu si Frank Lampardi në Chelsea, edhe Pochettino do të kthehet në një klub që e adhuroi atë si lojtar.
Ai e filloi karrierën e tij si futbollist nën urdhrat e Marcelo Bielsas te ekipi Newell's Old Boys, ku e fitoi titullin e kampionit të Argjentinës në fillim të viteve ‘90. Pas këtij suksesi, Pochettino e zhvendosi karrierën në Evropë. Ai u bë një legjendë te Espanyoli, duke e fituar dy herë trofeun e Kupës së Spanjës për një klub që jeton nën hijen e fqinjit të zhurmshëm, Barcelonës. Prej vitit 1989 deri në vitin 1994 ishte te ekipi argjentinas, kurse te Espanyoli qëndroi prej vitit 1994 deri në vitin 2001 duke regjistruar 216 paraqitje në të gjitha garat. Mirëpo në vitin 2001 ai vendosi të largohet nga Espanyoli për një sfidë të re në moshën 29-vjeçare. Pochettino zgjodhi PSG-në dhe u përshtat shumë mirë në repartin e mbrojtjes së ekipit francez. Te PSG-ja, Pochettino u shndërrua në idhull të tifozëve edhe pse qëndroi për vetëm dy vjet. Ai luajti 70 ndeshje me fanellën e PSG-s, prej të cilave në 59 e barti me krenari shiritin e kapitenit. Dëshira e tij dhe vendosmëria në fushë, e shndërruan atë në njërin prej lojtarëve më të adhuruar.
“Lidhja ime me tifozët e klubit ka qenë dhe mbetet e veçantë”, u shpreh Pochettino.
EdhePSG-ja ishte një ekip joshës në fillimin e viteve 2000 dhe pothuajse i krahasueshëm me ekipin e ndërtuar nga pronarët aktualë. Sidoqoftë, ajo gjeneratë nuk e arriti suksesin që Neymar, Kylian Mbappe, Angel Di Maria dhe lojtarët e tjerë e kanë shijuar në ditët moderne.
Gjatë karrierës së Pochettinos me parisienët, ai fitoi një Kupë Intertoto në vitin 2001 dhe një medalje si finalist i Kupës së Francës. Atij i mungoi suksesi në Ligue 1 dhe llogaritet befasi e madhe se si atëbotë nuk arriti ekipi të shpallej kampion. Trajneri Fernandez kishte në dispozicion lojtarë shumë të talentuar, por që në fund nuk e shijoi suksesin në kampionat. Gjatë kohës së tij te Parisi, Pochettino i shijoi dy edicione duke luajtur përkrah Ronalindinhos, përpara se braziliani të transferohej te Barcelona dhe të bëhej një fenomen global. Ai luajti së bashku me shokun argjentinas Gabriel Heinze - i cili më vonë luajti për Manchester Unitedin. Kishte nga një vit me secilin: Nicolas Anelkan, Jay-Jay Okochan dhe Laurent Robertin. Ndërsa dy vjet te PSG-ja i pati me adoleshentin Mikel Arteta, i cili tani është trajner i skuadrës së Arsenait. Si kapiten i të gjithë atyre superyjeve të një superekipi atëbotë, me siguri se Pochettino do të jetë në gjendje ta menaxhojë skuadrën që sot e ka ndërtuar PSG-ja. Dhe, mbase në fund të fundit ai do të kërkojë të fitojë titullin e kampionit me klubin në të cilin u dashurua dy dekada më parë.