Përfaqësuesja e Danimarkës ka siguruar biletën për Evropianin e vitit të ardhshëm që do të mbahet në Gjermani. Në duelin e xhiros së nëntë të Grupit H, Danimarka ka mposhtur Slloveninë me rezultatin e ngushtë 2:1, të premten mbrëma.
Me këtë fitore, Danimarka është ngjitur në krye të grupit me 22 pikë, tri më shumë se Sllovenia që renditet e dyta, ndërsa Kazakistani si i treti ka 18 pikë.
Danezët kaluan të parët në epërsi kur mesfushori Joakim Maehle shënoi në minutën e 26-të për 1:0.
Epërsia e Danimarkës nuk zgjati shumë, pasi Sllovenia barazoi rezultatin katër minuta më vonë. Ishte Erik Janza, ai që shënoi nga gjuajtja e lirë për 1:1.
Megjithatë, Danimarka fitoren e siguroi në fillim të pjesës së dytë, kur Thomas Delaney shënoi për rezultatin përfundimtar në minutën e 54-të.
Në xhiron e fundit të këtij grupi, Sllovenia do të përballet me Kazakistanin, në ndeshjen vendimtare që vendos për ekipin e dytë që do të kualifikohet në “Euro 2024”.