Mbrojtësi Danilo ka arritur marrëveshje për rinovimin e kontratës me Juventusin, ka njoftuar të premten “Tuttosport”.
Kontrata e tij aktuale skadon në vitin 2024, ndërsa me rinovimin e saj, braziliani do të mbetet pjesë e Juventusit deri në verën e vitit 2026.
Krahas rinovimit të kontratës, Danilo do të ketë edhe pagë më të lartë, detaje këto që do të zbulohen kur gjithçka të bëhet zyrtare.
Te Juventusi janë të kënaqur me 31-vjeçarin, i cili ka luajtur në çdo pozitë të mbrojtjes. Krahas 21 ndeshjeve të luajtura deri më tani në të gjitha garat, Danilo ka edhe dy asistime.
Ai u transferua te Juventusi në vitin 2019 nga Manchester City, ndërsa karrierë në Evropë ka bërë edhe te Real Madridi e Porto.