Trajneri i Dukagjinit, Armend Dallku ka thënë se largimi i sulmuesit Ahmed Januzi ndryshoi tërësish planet e ekipit i tij që i kishte në ndeshjen kundër Ballkanit në Suharekë. Dukagjini në ndeshjen e parë të këtij edicioni, barazoi 2:2 por duelin e mbylli me një lojtar më pak.
Sulmuesi Januzi, që shënoi golin e barazimit për 2:2, u përjashtua me karton të kuq, ndonëse fillimisht arbitri Visar Kastrati e ndëshkoi me karton të verdhë. Mirëpo, pasi e rishikoi rastin me VAR, Kastrati e nxori kartonin e kuq dhe e përjashtoi Januzin në minutën e 71-të.
“Momenti i kartonit të kuq nuk është bash bindës. Sepse nëse e shohim momentin e kartonit të kuq, lë shumë për të dëshiruar. Nuk është mirë që në ndeshjen e parë të startohet kështu, pasi tani po aplikohet edhe sistemi VAR. Largimi i Januzit ndërroi të gjitha planet tona, pasi ishim të detyruar të fokusohemi më shumë në mbrojtje. Kështu që, duke pasur parasysh se për gati 20-të minuta ishin me një lojtar më pak, mund të them se është një pikë shumë e rëndësishme për ekipin tonë në ndeshjen e parë të këtij edicioni”, tha Dallku për “Sportin Total”.