Trajneri i Kroacisë, Zlatko Daliq insiston se Argjentina është nën presion më të madh se skuadra e tij.
Gjysmëfinalja e parë e Kupës së Botës në mes të Kroacisë dhe Argjentinës luhet të martën mbrëma.
“Ne jemi në mesin e katër skuadrave më të mira në botë. Ky është një sukses i jashtëzakonshëm për Kroacinë. Është një gjë e mrekullueshme të jesh në mesin e katër ekipeve përfaqësuese më të mira për dy Kupa të Botës radhazi. Megjithatë ne duam më shumë. Ne po luajmë kundër Argjentinës së madhe që udhëhiqet nga Lionel Messi. Ata janë shumë të motivuar, por janë nën presion më të madh se Kroacia në këtë moment të caktuar kohor”, ka thënë Daliq. Kroacia eliminoi Brazilin në çerekfinale pas ekzekutimit të penalltive, ndërsa Argjentina, Holandën.