Sport

Curry me 39 pikë ndihmon Warriorsin të fitojë

Stephen Curry ka shënuar 39 pikë për ta ndihmuar skuadrën Golden State Warriors të fitojë në shtëpi kundër New Orleans Pelicans.

Golden State triumfoi me rezultatin 120:109 dhe e kaloi Minnesota Timberwolvesin për të dalë në vendin e gjashtë dhe në vendin që dërgon në plejofin e Konferencës së Perëndimit.

Curry shënoi plot tetë herë nga vija për tri pikë, ndërsa “luftëtarët” përmbysën disavantazhin e 20 pikëve për të triumfuar në San Francisco.

Bashkëlojtari i Curryt, Klay Thompson, shënoi pesë trepikësha, ndërsa pati 17 pikë gjithsej.

Në ndeshjet e tjera, Desmond Bane realizoi 31 pikë, kurse Memphis Grizzlies, që është në vendin e dytë në Konferencën e Perëndimit, e vazhdoi serinë e fitoreve në shtatë ndeshje.

Grizzlies fitoi 113:108 ndaj Orlando Magic.

Në Konferencën e Lindjes, Boston Celtics e humbi mundësinë ta kalonte Milwaukee Bucksin në vendin e parë dhe humbi 130:111 nga Washington Wizards.

Atlanta Hawks vazhdon të shpresojë për një vend që dërgon në plejof.

Aktualisht zë pozitën e tetë, ndërsa në duelin e fundit fitoi përballë Cleveland Cavaliers, 120:118.