Pas Cristiano Ronaldos edhe një futbollist tjetër mund t’i bashkohet ekipit nga Arabia Saudite, Al-Nassr. “Gazzetta dello Sport” ka raportuar se përforcimi i radhës për ekipin saudit nga Evropa pritet të jetë kolumbiani Juan Cuadrado.
Cuadrado parimisht ka arritur marrëveshje me skuadrën nga Arabia Saudite, e cila po negocion me Juventusin për lirimin e tij. Al-Nassr është gati të ofrojë një shumë të vogël parash, duke pasur parasysh se Cuadrados i skadon kontrata me Juventusin në verë.
34-vjeçari po dëshiron të ribashkohet me Ronaldon, me të cilin ka luajtur te Juventusi dhe ka marrëdhënie të mira. Cuadrado prej vitit 2011 luan në Evropë, ku ka bërë karrierë edhe te Udinese, Lecce, Fiorentina e Chelsea. Ai është pjesë e Juventusit prej vitit 2015 dhe këtë sezon ka katër asistime në 20 paraqitje.