Klubi më i suksesshëm i Bullgarisë në futboll CSKA nga Sofja i është kthyer stërvitjeve, duke shkelur ndalesën e qeverisë për tubimet që është vendosur për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, shkruan agjencia Reuters, transmeton Koha.net.
Një video e publikuar në disa uebfaqe bullgare ka shfaqur kryetrajnerin serb Millosh Krushçiq, dy ndihmësit e tij dhe së paku gjashtë lojtarë të huaj duke stërvitur në bazën e klubit në Pancharevo të martën.
Bullgaria e ka shpallur gjendjen emergjente dhe ajo është në fuqi deri më 13 maj. Janë ndaluar grupet prej më tepër se dy persona, ndërsa komisioni mjekësor i Unionit të Futbollit Bullgar (BFU), më 17 mars ndaloi gjitha aktivitetet stërvitore në skuadra.
“Nëse ndonjë klub mban stërvitje, atëherë inspektorati rajonal i shëndetësisë do të ndëshkojë atë. Duhet të shqiptohen gjoba si për të gjithë njerëzit tjerë në Bullgari”, u ka thënë gazetarëve kryeministri i Bullgarisë, Boyko Borissov.
CSKA nga Sofja ka fituar plotë 31 herë titullin e Bullgarisë, ndërsa arriti në gjysmëfinale të kupave evropianë tri herë mes vitit 1967 dhe 1989.
Autoritetet bullgare nisën hetimet për tubimet e mundshme pas një deklarate të lojtarit të Lokomotiv Plovdivit se klubi i tij i ka filluar stërvitjet javën e kaluar.
Futbolli në Bullgari është pezulluar për gati një muaj dhe BFU ka thënë se pezullimi për rangjet elitare do të mbetet në fuqi deri më 13 maj.
Deri të mërkurën, në shtetin nga Ballkani janë regjistruar 581 raste me koronavirus dhe 23 të vdekur si pasojë e komplikimeve shëndetësore të shkaktuara nga virusi.
-
Keqmenaxhimi i Federatës së futbollit nxit protesta masive në Bullgari
-
Protesta të reja në Bullgari me kërkesë për dorëheqje të Qeverisë së Borisovit
-
Edhe Bullgaria lejon shikuesit në stadiume
-
Në Bullgari kërkohet që tifozët të lejohen në stadiume
-
Edhe në ligën bullgare paraqiten rastet e para me koronavirus