Si lojtar, Antonio Conte u respektua shumë për shkak se ishte një mesfushor pasionant, këmbëngulës, i palodhur dhe italiani i ka këto tipare edhe në karrierën e tij të suksesshme të trajnerit. Mirëpo, puna e tij e fundit nuk është aspak e lehtë, është ngarkuar me rindërtimin e Tottenhamit. Tre muajt e tij të parë të turbullt në veri të Londrës janë mbushur me komente në lidhje me kufizimet e skuadrës që trashëgoi dhe punën e madhe të nevojshme për ta çuar Tottenhamin në nivelin që të luftojë për trofe. Niveli ku Conte ka operuar për 10 vjetët e fundit ishte te Juventusi, Chelsea dhe Interi, ekipe me të cilat ka fituar tituj kampioni. Tekniku italian po ka vështirësi te Tottenhami, por nuk po dorëzohet. Ai thotë se tani është në një ekip që për shumë vite ka qëndruar në mes të tabelës.
“Sigurisht që situata në krahasim me të kaluarën për mua është shumë e ndryshme sa u përket perspektivës dhe ambicieve”, tha Conte.
Sigurisht, ai e dinte këtë kur pranoi ta marrë drejtimin e Tottenhamit. Në vitin 2019, Tottenhami arriti deri në finale të Ligës së Kampionëve dhe gjithashtu ka një stadium të ri, që mund ta ketë zili shumica e Evropës. Megjithatë, ekipi nga Londra nuk ka fituar trofe për gati dy dekada. Trofeu i fundit i fituar nga Tottenhami, është ai i League Cup në vitin 2008. Skuadra është e kufizuar, me përjashtim të yjeve Harry Kane e Son Heung-min, ndërsa mentaliteti i ekipit kritikohet shpesh, saqë është krijuar në shaka të futbollit anglez. Tottenhami, po ashtu, nuk mund t’i rivalizojë skuadrat e mëdha të Evropës as në tregun e transferimeve dhe kjo u dëshmua muajin e shkuar. Conte insistoi për Luiz Diazin e Portos, të cilin ia rrëmbeu Liverpooli, ndërsa dy përforcimet e tij, erdhën në ditën e fundit të afatit kalimtar. Ishin Rodrigo Bentancur e Dejan Kulusevski që iu bashkuan Tottenhamit nga Juventusi.
“Ajo që ndodhi në janar nuk është e lehtë të kapërdihet, por ky është realiteti”, pranoi Conte.
Kështu që, italiani ka një mision pothuajse të pamundur, ta rindërtojë një ekip, i cili të shtunën do të jetë mysafir i kampionit në fuqi të Anglisë, Manchester Cityt. Në fakt, City është lider dhe ka 27 pikë më shumë se Tottenhami që zë vendin e tetë. Conte, gjithashtu, është i njohur si trajner që nuk qëndron gjatë në ekipe. Periudha e tij më e gjatë në një klub është tre vjet - në Juventus (2011-2014) - dhe intensiteti i tij mund ta çojë në konflikt me bordin. Ai ka blerë lojtarë për të luftuar për trofe, siç bëri tek Interi. Mirëpo, te Tottenham ai do të duhet të shpresojë që situata të ndryshojë me kalimin e kohës.
“Katër lojtarë u larguan në janar - katër të rëndësishëm për Tottenhamin. Dy kanë ardhur, kështu që edhe numerikisht, në vend që të përforcohemi, mund të them se jemi më të dobët në letër”, shtoi Conte.
“Tottenhami kërkon lojtarë të rinj, lojtarë të zhvilluar, jo lojtarë të gatshëm. Vizioni, filozofia e klubit është kjo. “Por përsëri, vizioni i klubit që kuptova është ky dhe do të vazhdojë të jetë ky. Për këtë arsye do të duhet shumë durim dhe vazhdoj t'ua shpjegoj të gjithë mjedisit dhe tifozëve”, tha Conte.