Sport

Clarisse Peixoto, vlerë e shtuar e KV Skenderajt

Përcillte me shumë kujdes çdo lëvizje të lojtareve të skuadrës. I përkrahte bashkëlojtaret, pavarësisht nëse gjuajtjet e tyre ishin të sakta apo të gabuara. Jepte vazhdimisht edhe këshilla nga më të ndryshmet. Këto ishin vetëm disa prej cilësive të shumta që i posedon volejbollistja nga Brazili, Clarisse Benicio Peixoto.

Braziliania Clarisse është bërë vlerë e shtuar për skuadrën e Skenderajt, që këtë sezon ka synime të mëdha. Clarisse erdhi me shumë bujë, ndërsa nga faqja zyrtare e ekipit nga Skenderaj në fillim të këtij muaji u vlerësua si transferimi më i mirë në histori të volejbollit kosovar.

Me brazilianen në ekip, KV Skenderaj synon që ta rikthejë titullin e kampionit në qytet. E një sukses i tillë këtij ekipi i mungon që nga viti 2015. Optimiste për ta ngritur këtë trofe është shprehur edhe Clarisse, që thotë se ka ardhur vetëm për këtë qëllim te Skenderaj.

“Shpresoj që ta fitojmë kampionatin. Jam këtu për këtë gjë. Ky është qëllimi im. Kur erdha këtu dhe kur fola me trajnerin, gjëja e parë që më ka thënë është kjo: E kemi një qëllim dhe ai është që të fitojmë. Shpresoj që kjo të ndodhë”, tha Clarisse të enjten për KOHËN.

Clarisse Benicio Peixoto është 34-vjeçare dhe luan në pozitën e pranueses. Ajo vjen nga një familje që volejbollin e ka në gjak. Madje thotë se familja e saj ka qenë gjithmonë e përkushtuar vetëm pas këtij sporti. Insiston se volejbolli është sporti më i dytë i popullarizuar në Brazil, kuptohet pas futbollit. Karriera e saj ka nisur në Brazil, për të vazhduar më pas në shumë shtete të tjera. Skenderaj është skuadra e saj e 13-të në karrierë, në gjashtë shtete të ndryshme. Clarisse ka luajtur për ekipe të Brazilit, Francës, Norvegjisë, Greqisë e Portugalisë. Tani është në Kosovë dhe thotë se është shumë e lumtur. Sipas saj, lëvizjet e shumta që i ka bërë në karrierë e kanë njoftuar më shumë me kultura, gjuhë e ushqime të ndryshme. Madje në Kosovë tashmë ka nisur t’i mësojë në gjuhën shqipe gjërat elementare. Fundjavën e kaluar Clarisse debutoi me sukses me skuadrën e re. Fitoi 3:1 në sete ndaj M-Technologies. Premton se do të vazhdojë me paraqitje të mira deri në fund të sezonit dhe të kurorëzohet me titull.

“Mendoj se e arritura më e madhe në karrierën time është kampionati në Brazil, sepse është kampionat shumë i vështirë. Karriera ime në Brazil ka qenë solide dhe shumë e fortë”, nënvizon 34-vjeçarja, që ka fituar trofe edhe në Norvegji e Portugali.

Përveç përvojës evropiane, ajo vlerësohet si volejbolliste që i jep qetësi skuadrës në momente vendimtare. Thotë se për të qenë e suksesshme duhet të jepet maksimumi jo vetëm në ditën e ndeshjes.

“Mendoj se rëndësia e volejbollit është ditë pas dite. Disa mendojnë se në volejboll, dita më e rëndësishme është ajo e lojës. Por për mua më e rëndësishme është dita para lojës, stërvitja. Dua që këtë t’ua mësoj vajzave, ta shijojnë çdo ditë. Të jenë të përgatitura, profesionalisht. Të luash është mirë, të fitosh është mirë, por procesi është më i rëndësishëm. Dua që vajzat të besojnë të proces”, zbuloi Clarisse, që pranoi se i duhet ende kohë për t’u adaptuar në volejbollin kosovar.

Vlerësime pozitive për brazilianen ka dhënë edhe trajneri i ekipit, Ylli Kadriu. Ai thotë se Clarisse para se të bashkohej me Skenderajn ishte kërkuar nga shumë skuadra evropiane. Kadriu u shpreh se Clarisse është shembull jo vetëm për lojtaret me përvojë, por edhe për të rejat që janë në zhvillim e sipër.

“Kjo volejbolliste teknikisht pothuajse është lojtare e përsosur në të gjitha elementet, të topit të parë, mbrojtjes, ekzekutimin e elementeve. Ndoshta nuk e ka potencën pasi ka pasur disa lëndime më përpara dhe ka moshë pak më të shtyrë. Unë mendoj që vetë prania e saj në fushë është shumë e rëndësishme për ekipin tonë. Në pikët vendimtare sidomos, kur ekipit i duhet një pikë ose i duhet mobilizimi, mendoj që është lojtarja më e duhur që kemi mundur ta merrnim në ekipin tonë”, tha ai.

Skenderaj ndeshjen e radhës e luan në vikend ndaj Fushë-Kosovës. Aktualisht Skenderaj është i treti në tabelë me 24 pikë, tri më pak se Drita që është lidere pas dhjetë xhirove.

Image