Manchester City zbuloi një statujë të Sergio Agueros në dhjetëvjetorin e golit dramatik të sulmuesit të pensionuar, i cili pati shënuar në kohën shtesë për ta siguruar titullin e parë të klubit në Premier League pas një pritjeje të gjatë. Ai pati shënuar golin e fitores në minutën e tretë të kohës shtesë për rezultatin përfundimtar 3:2.
“Kur tifozët tanë mendojnë për Sergio Agueron, ata tërhiqen menjëherë nga momenti ikonik i minutës së 93-të dhe goli që i siguroi klubit titullin e parë në ligë në 44 vjet, por siç tregon rekordi i tij prej 260 golave për klubin, trashëgimia dhe ndikimi i tij në Manchester City shkon përtej kësaj”, ka shkruar Manchester City ndër të tjera.
Argjentinasi u kthye në stadiumin “Etihad” të premten, ndërsa City nderoi golashënuesin e tij me të mirë në histori të klubit me një statujë që përshkruan momentin kur Aguero hoqi fanellën e tij për të festuar pasi shënoi kundër Queens Park Rangersit në ditën e fundit të sezonit 2011/12.
“Sinqerisht, është një gjë shumë e bukur për mua, ta shoh veten 10 vjet më parë është shumë prekëse”, tha Aguero. “Në ata 10 vjet unë kam qenë në gjendje të fitoj shumë trofe dhe kam qenë në gjendje të ndihmoj klubin të bëhet një nga më të rëndësishmit në botë. I jam shumë mirënjohës klubit që e bëri këtë statujë në shenjë mirënjohjeje për karrierën time futbollistike në Manchester. Është diçka shumë e veçantë”.
City fitoi pesë tituj kampioni në Angli me Agueron në radhët e veta dhe është në prag për ta fituar edhe një tjetër kur kanë mbetur edhe dy xhiro deri në fund të këtij sezoni. Aguero shënoi një numër rekord golash për Manchester Cityn dhe ishte një lojtar kyç në rritjen e ekipit në një forcë të madhe të futbollit.
Ai realizoi hiç më pak se 260 gola me fanellën e Cityt, ekip për të cilin luajti deri në fund të sezonit të shkuar. Aguero iu pat bashkuar skuadrës angleze në verën e vitit 2011 nga Atletico Madridi për 40 milionë euro. Përpara vitit 2012, City nuk e kishte fituar ligën e parë të Anglisë që nga viti 1968. 33-vjeçari Aguero kaloi te Barcelona në verën e vitit të shkuar, por u detyrua të tërhiqet nga futbolli aktiv në dhjetor për shkak të një problemi me zemrën. Statuja bashkohet me homazhe të ngjashme edhe për ish-shokët e skuadrës së Agueros, mbrojtësin Vincent Kompany dhe mesfushorin David Silva, të instaluar tashmë jashtë stadiumit. Është skalitur nga skulptori skocez, Andy Scott, me bazë në Filadelfia.
“Ka qenë një nder të punoj në një projekt që do të thotë kaq shumë për tifozët e Manchester City në mbarë botën për festimin e një lojtari kaq të rëndësishëm në jetën e këtij klubi”, është shprehur shkurt Scott.