Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

City vajton largimin e Guendoganit për te Barcelona

“Për mua ka qenë një privilegj i madh të jem pjesë e Manchester Cityt për shtatë edicionet e fundit. Do ta mbaj gjithmonë Cityn në zemrën time. Një herë i kaltër, gjithmonë i kaltër”, shkruante ndër të tjera në postimin lamtumirës të mesfushorit Ilkay Guendogan.

32-vjeçari u largua nga City për t’u zyrtarizuar të hënën te Barcelona, ekip të cilit do t’i bashkohet si lojtar i lirë. Ai me Barcelonën ka firmosur kontratë dyvjeçare me opsionin e vazhdimit edhe për vitin e tretë, ndërsa ka të përfshirë një klauzolë lirimi në vlerë prej 400 milionë eurosh. Kjo klauzolë është edhe një konfirmim se për çfarë lojtari bëhet fjalë. Guendogan u largua nga City si një kampion i vërtetë. Edicionin e fundit si kapiten i ekipit anglez, e mbylli me tre trofe, Premier League, Kupën FA dhe Ligën e Kampionëve. Në total prej vitit 2016 kur iu bashkua Cityt nga Borussia Dortmundi, Guendogan ka fituar 12 trofe, përfshirë pesë tituj kampioni të Anglisë. Largimi i tij do të lë një boshllëk të madh te City, pasi Guendogan ishte lojtari i vetëm që ka arritur të përshtatet në çdo skemë dhe pozicion në fushë, të caktuar nga trajneri Pep Guardiola.

Guendogan ishte përforcimi i parë i Guardiolas te skuadra e Cityt, gjë që dëshmon vizionin e trajnerit spanjoll që e kishte për reprezentuesin e Gjermanisë.

“Kam një bindje se pa Gundon nuk do të kishim mundur ta fitonim asnjë titull kampioni të Anglisë, pasi ai ka luajtur dhe është përshtatur në cilëndo pozitë që kemi pasur nevojë apo mungesë të lojtarëve. Ai është një lojtar inteligjent, i cili e përballon presionin pa asnjë problem. Mund të them se është njëri prej lojtarëve më të mirë që e kam stërvitur në karrierën time si trajner në secilin aspekt. Ai është lojtar i klasit të lartë”, ka thënë Guardiola pas largimit të Guendoganit.

Tani Guardiola do të duhet ta planifikojë edicionin e ri pa e përfshirë Guendoganin në sistemin e tij të lojës, gjë që nuk do të jetë aspak lehtë. Është shumë lehtë e kuptueshme se për çfarë arsye Guardiola muajt e fundit, por edhe në të kaluarën, insistonte te drejtuesit e klubit që t’i vazhdohej kontrata lojtarit. Së fundi nuk ishte çështje financiare, por kishte të bënte me faktin se Guendogan donte të ndërronte mjedis.

“Me fanellën e Cityt kam përjetuar momente të paharruara por këtë herë vendosa për një rrugëtim tjetër në karrierë. Së pari dua ta falënderoj Pepin për shkak se të luash nën urdhrat e tij dhe të mësosh prej tij për një kohë kaq të gjatë është diçka që nuk do ta harroj kurrë. Po ashtu nuk mund t’i harroj as bashkëlojtarët, e as tifozët që më kanë pritur me krah të hapur prej ditës së parë”, ka vazhduar Guedogan me postimin e tij.

Guardiola shpesh ka folur për ndjenjën e lindur të Guendoganin për të shënuar gol dhe për t’u shfaqur në vendin dhe momentin e duhur. Por ishte një tjetër atribut që Guardiola e çmonte shumë te mesfushori gjerman: “Pausa”. Ky është një term që spanjollët dhe amerikano-jugorët e përdorin për ata lojtarë për të cilët koha ndalon dhe gjithçka ka kuptim, që sjellin rregull në kaos, që mund të vendosin këmbën mbi topin dhe presin kohën e duhur për të bërë një pasim ose për të shpejtuar apo ngadalësuar ritmin e një loje. Guendogan ishte i tillë pasi e gjithë loja e Cityt varej prej paraqitjes së tij në fushë. Në rast se nuk shënonte golin vendimtar, ai ishte në gjendje të bënte pasimin vendimtar, gjë që e bënte edhe më të veçantë në sytë e Guardiolas.

“Gundo është magjistar. Është një lojtar i veçantë, i cili do të na mungoj shumë”, ka pranuar mbrojtësi i Cityt, portugezi Ruben Dias.

Në total Guendogan ka shënuar 60 gola në 304 ndeshje të luajtura në të gjitha garat me fanellën e skuadrës së Cityt. Pas Guardiolas, Guendogan tani do të punojë me një tjetër ish-lojtar të Barcelonës, Xavi Hernandez, i cili si trajner ka vizionin e trajnerit të Cityt. Te Barcelona po shpresojnë që përvoja dhe sukseset e Guendoganit te City do ta ndihmojnë ekipin për t’u kthyer në majat e futbollin evropian. Me Guendoganin në ekip, Barcelona ka kompletuar një mesfushë të jashtëzakonshme për edicionin e ri, duke pasur parasysh se përkrah gjermanit janë edhe dy lojtarët e talentuar, Gavi e Pedri.

“Nën Pep Guardiolan përforcimi më i ri i Barcelonës është shndërruar në mesfushor total dhe ka filluar të shkëlqej para portës. Me përvojën e tij të madhe, Guendogan do ta ndihmojë shumë Barcelonës, pasi ka ende për të dhënë nga vetja gjatë këtyre vjetëve”, ka shkruar Barcelona në njoftimin për Guendoganin.

Artikuj të ngjashëm