Manchester City do të luajë kundër skuadrës tjetër të Premier Leagues, Chelseat, në finalen e 66-të të Kupës Evropiane.
City është në finale për herën e parë, ndërsa Chelsea që në këtë fazë të garës luan për herën e tretë, do ta kërkojë triumfin e dytë. Ligën e Kampionëve “blutë e Londrës” e kishin fituar në vitin 2012-të.
Stadiumi ku do të luhet finalja do të jetë ai i Portos, “Estadio do Dragao”. Ky stadium ishte nikoqir i ndeshjeve vendimtare të Ligës së Kombeve në vitin 2019-të, ndërsa është ndërtuar në vitin 2004 për Kampionatin Evropian të atij viti.
Finalja fillimisht ishte caktuar të luhej në stadiumin “Ataturk Olympic” në Stamboll. Por, masat kundër Covid-19-të bënë që më 13 maj të këtij viti, UEFA ta zhvendoste finalen në Portugali.
Autoritetet portugeze kanë konfirmuar se 16 mijë e 500 tifozë do të jenë të pranishëm në stadium. Nga 6 mijë bileta janë ndarë për tifozët e të dyja klubeve, ndërsa të tjerat për publikun e përgjithshëm. Të gjitha biletat u shitën më 25 maj.
Trofeu aktual është i gjatë 73.5cm dhe peshon 7.5 kilogramë.
“Ndoshta nuk është kryevepër artistike, por të gjithë në futboll dëshirojnë ta kenë në duart e veta”, ka thënë krijuesi i Kupës, Jurg Stadelmann.
Edhe
Manchester City – Chelsea, formacionet e mundshme
Fituesi i Ligës së Kampionëve siguron fazën e grupeve për edicionin 2021/22, edhe nëse nuk e ka siguruar vendin në top katërshe.
Gjyqtar kryesor i ndeshjes do të jetë Miguel Mateu Lahoz. Spanjolli 44-vjeçar do të ndajë drejtësi edhe në Kampionatin Evropian 2020 këtë verë.
Pesë zëvendësime do të lejohen, ndërsa zëvendësimi i gjashtë do të lejohet nëse ndeshja shkon në vazhdime.