Te Italia e kanë përjetuar rëndë humbjen nga Maqedonia e Veriut në gjysmëfinale të plejofit për kualifikim në Botëror. Maqedonia fitoi 1:0 me gol të shënuar në minutën e 92-të dhe tani do të takohet me Portugalinë për vend në Botërorin e Katarit.
“Është vështirë të shpjegohet. Ka dëshpërim të madh, ndonëse sonte luajtëm ndeshje të mirë. Por nuk shënuam. Prej shtatorit e deri më tani kemi bërë gabime dhe kemi paguar për to. Jam krenar me ekipin që ka dhënë çdo gjë. Është e qartë që jemi të shkatërruar dhe të dërrmuar. Një zbrazëti e madhe do të mbetet te ne”, ka thënë mbrojtësi i Italisë, Giorgio Chiellini.
“Shpresojmë që ky boshllëk do të na japë shtytje për të filluar përsëri. Unë ende shpresoj sepse Mancini ka dëshmuar se është trajner i madh dhe mund të na ndihmojë që të rifillojmë. Ne kemi shumë lojtarë të mirë të rinj dhe do të mundohemi të fitojmë Evropianin e radhës dhe të kualifikohemi për Kupën e Botës të vitit 2026. Sonte krijuam shumë raste, por fatkeqësisht nuk ia dolëm të shënojmë”, ka shtuar Chiellini.