Përzgjedhësi i Kosovës në futboll, Bernard Challandes, ka publikuar të martën pasdite listën e lojtarëve të ftuar për ndeshjet ndaj Moldavisë dhe Greqisë.
Kosova luan me Moldavinë në Parma të Italisë më 3 shtator, ndërsa e pret Greqinë më 6 shtator në Prishtinë. Janë këto ndeshjet e para të edicionit të dytë të Ligës së Kombeve të UEFA-s.
Challandes për këto dy ndeshje llogarit në lojtarë që kanë bartur barrën edhe deri më tani. Bie në sy mungesa e sulmuesit të parë, Vedat Muriqi dhe e Edon Zhegrovës.
Kosova së fundi ka luajtur më 12 janar, kur pësoi 1:0 nga Suedia në Katar. Për Kosovën në atë takim luajtën lojtarë kandidatë për përfaqësuese, kryesisht të klubeve të vendit. Edhe Suedia ishte me ekipin B.
Ndërkohë në nëntor të vitit të kaluar, Kosova humbi 2:1 nga Çekia dhe 4:0 nga Anglia. Ishin ndeshjet e fundit eliminatore për “Euro 2020”.
Kosova nuk u kualifikua, por e ka edhe një rast për të arritur në “Euro 2020”, përmes plejofit. Ndeshjen gjysmëfinale të plejofit e luan ndaj Maqedonisë së Veriut më 8 tetor në Shkup.
Ndeshjet me Moldavinë dhe Greqinë do t’i shërbejnë Challandesit për të përgatitur ekipin për sfidën ndaj Maqedonisë së Veriut.
