Sport

Central Coastit i duhet ndihmë financiare për të përballuar Boltin

Skuadra e elitës së Australisë në futboll, Central Coast Mariners ka bërë të ditur se nuk do të jetë në gjendje të firmos kontratë me fituesin e tetë medaljeve të arta olimpike në sprint, Usain Bolt pa kontribut financiar të një pale të tretë.

Xhamajkani 32-vjeçar është pensionuar nga atletika në vitin 2017 dhe ka qenë në prova me Central Coast Marinersin. Mariners ka bërë një ofertë për Boltin, 105 mijë dollarë në vit, mirëpo bisedimet janë ndëprerë për shkak se Bolt ka kërkuar dukshëm kushte më të mira, ka kërkuar një pako totale prej dy milionë dollarësh, transmeton koha.net.

Klubi australian ka bërë të ditur se Bolt nuk do të stërvitet me skuadrën derisa të arrihet një marrëveshje. Mirëpo, marrëveshja është e pamundur pa ndihmë financiare. Bolt shënoi dy gola në miqësoren e Central Coastit të zhvilluar para disa ditëve.

Xhamajkani është rekordmen i botës në 100 dhe 200 metra sprint. Ai më herët refuzoi edhe një kontratë dyvjeçare të skuadrës kampione të Maltës, Valletta FC.