Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Carrick nuk është këshilluar me Rangnickun për derbin me Arsenalin

Trajneri i përkohshëm i Manchester Unitedit, Michael Carrick, thotë se ai nuk ka folur fare me trajnerin e përkohshëm të ardhshëm, Ralf Rangnickun, ndërsa është përgatitur për ta drejtuar ekipin në ndeshjen kundër Arsenalit, që luhet të enjten mbrëma në stadiumin “Old Trafford”.

Për Carrickun, kjo do të jetë ndeshja e tretë dhe e fundit në krye të Arsenalit, pasi ekipin do ta marrë gjermani Rangnick. Unitedi e konfirmoi emërimin e Rangnickut si zëvendësues afatshkurtër të Ole Gunnar Solskjaerit këtë javë, por gjermani ende nuk është pajisur me lejen e punës. Rangnick do të jetë trajner i përkohshëm i Unitedit deri në fund të sezonit dhe pastaj do ta marrë rolin e këshilltarit në klub për dy vitet e ardhshme. Mos pajisja e Rangnickut me leje pune do të thotë që Carrick mbetet në krye për duelin me Arsenalit, ndeshje që mund të ketë një ndikim të madh në garën për një vend në top katërshe të Premier League. Ndeshja nis në orën 21:15 dhe i takon xhiros së 14 në Premier League.

“Nuk kam asgjë për të përditësuar. Procesi i lejes së punës dhe vizave është duke vazhduar, ndërsa ne flasim”, tha Carrick të mërkurën. “Unë jam në këtë pozicion, siç isha për Villarrealin dhe Chelsean. Po i bëj gati djemtë për ndeshjen ndaj Arsenalit, që është shumë e rëndësishme”.

Carrick ka marrë një përgjigje nga një skuadër e mbushur me yje, që kishte humbur pesë nga shtatë ndeshjet e fundit të ligës nën drejtimin e norvegjezit Solskjaer. Një fitore 2:0 në udhëtim te Villarreali i siguroi Unitedit vendin në fazën e nokautit të Ligës së Kampionëve dhe një barazim 1:1 ndaj liderit të ligës, Chelseat, shkurtoi diferencën me vendin e katërt në pesë pikë. Aktualisht, Unitedi është i teti në tabelë me 18 pikë, pesë më pak se Arsenali që zë vendin e pestë.

“Ne kemi vazhduar siç kemi bërë. Ka funksionuar mirë në dy ndeshjet e fundit dhe shpresojmë se do të kemi një rezultat të favorshëm edhe ndaj Arsenalit”, pranoi Carrick.

Carrick pranoi thirrjen e guximshme për të lënë Cristiano Ronaldon në stol për udhëtimin në “Stamford Bridge” vikendin e shkuar. Ronaldo nuk dukej i kënaqur teksa u nis në tunel në fund të ndeshjes, pasi hyri në lojë si zëvendësues në pjesën e dytë, por Carrick e hodhi poshtë rëndësinë e këtij reagimi.

“Këto lloj vendimesh bëhen shumë më të mëdha sesa mund të jenë. Vendimet merren për shumë arsye të ndryshme. Unë nuk e pashë atë si një vendim të rëndësishëm. Sigurisht, që nuk ishte brenda kampit. Ne të gjithë shkuam shumë mirë me të. Loja shkoi mirë dhe nuk pati aspak një dramë”, insistoi Carrick.

Arsenali ka pikë të barabarta me West Hamin që është në vendin e katërt dhe mund të krijojë një avantazh të konsiderueshëm ndaj Unitedit nëse fiton në “Old Trafford” për sezonin e dytë rresht. Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta e përshkroi ardhjen e Rangnick në Premier League si “vendim vërtet interesant”, por nuk është aq i sigurt se gjermani nuk do të ketë asnjë informacion sesi do të rreshtohet Unitedi të enjten mbrëma.

“Ai ka qenë një nga trajnerët më të mirë dhe, në çdo përfshirje që ka pasur në lojë, jo vetëm në stërvitje, ai ka bërë disa ndryshime rrënjësore në fusha, kështu që ai është një person vërtet interesant në botën e futbollit dhe një emërim vërtet interesant," tha spanjolli Arteta. “Ne u përpoqëm të mbledhim informacione për të kuptuar më shumë se çfarë të presim dhe nuk e dimë në realitet”.

Artikuj të ngjashëm