Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Carlos Alcaraz fiton US Openin dhe bëhet tenisti më i ri në krye të listës ATP-së

Tenisti spanjoll Carlos Alcaraz mposhti Casper Ruudin nga Norvegjia në finalen e US Open, e zhvilluar të dielën mbrëma, sipas kohës lokale në SHBA, dhe përveç titullit të Grand Slamit, kjo fitore ia siguroi edhe vendin e parë në listën ATP, duke bërë histori si tenisti më i ri në krye të saj.

Alcaraz është 19 vjeç e katër muaj dhe rekordin e mbante Lleyton Hewitt, i cili zuri vendin e parë kur ishte 20 vjeç e nëntë muaj (2001).

Në finalen e US Open, Alcaraz mundi Ruudin me 3:1 në sete (6-4, 2-6, 7-6, 6-3) në një meç që zgjati tri orë e 22 minuta.

Alcaraz, një specialist në fushën “me baltë”, u bë gjithashtu fituesi më i ri i një turneu Grand Slam në konkurrencën individuale për meshkuj që kur bashkatdhetari i tij, Rafael Nadal fitoi të parin nga titujt e tij të shumtë në qershor të vitit 2005.

“Kjo është diçka për të cilën kam ëndërruar që kur kam qenë fëmijë, të jem nr. 1 në botë, të jem kampion”, tha Alcaraz, duke shtuar se po mendonte për disa nga anëtarët e familjes së tij që nuk mund të ishin në SHBA për finalen e madhe.

Alcaraz luajti tri meçe radhazi me pesë sete rrugës për në finale, duke përfshirë të dytin që ishte më i gjati në historinë e US Open, kur mposhti Jannik Sinnerin në çerekfinale, të enjten.

Edhe Alcaraz dhe Ruud në finale të “US Open” Sport Alcaraz dhe Ruud në finale të “US Open”

Gjatë US Open, spanjolli kënaqi tifozët me shpejtësinë, luftën dhe goditjet e shkëlqyera. Kjo fitore, besojnë shumë ekspertë, mund të jetë e para nga shumë tituj Grand Slam gjatë karrierës së tij.

"Unë gjithmonë them se nuk ka vend për lodhje në raundin e fundit të një Grand Slami. Duhet të japësh gjithçka që ke brenda", tha ai.

Image