Portugezi Joao Cancelo ka insistuar se edhe edicionin e ardhshëm do të jetë pjesë e skuadrës së Juventusit, pavarësisht lajmeve për një largim të mundshëm të tij nga Torino gjatë kësaj vere.
Në një intervistë për mediumet italiane të martën, Cancelo ka thënë se te Juventusi është shumë i lumtur. Ai para fillimit të këtij edicioni iu bashkua Juventusit nga Valencia për 40 milionë euro dhe ka fituar titullin e kampionit në Serie A, transmeton Koha Ditore.
"Nuk do të largohem nga Juventusi, pasi pjesë e këtij ekipi do të jem edhe edicionin tjetër. Ndihem mirë këtu dhe kam pasur momente pozitive", ka thënë Cancelo. 24-vjeçari që luan si mbrojtës i krahut të djathtë ka kontratë me Juventusin deri në vitin 2023. Këtë edicion ka një gol e tetë asistime në 33 ndeshje në të gjitha garat.