Sport

Caktohet vlera e pikës për kategorizim

Foto: MKRS

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka nënshkruar sot dy vendime që kanë të bëjnë me mbështetjen financiare të federatave sportive, sportistëve dhe trajnerëve.

Në vendimin për përkrahjen e federatave sipas kategorive u është caktuar vlera financiare e pikëve për sportet kolektive dhe individuale. Poentimi për sportet kolektive dhe individuale bëhet në katër grupe, A, B, C dhe D.

Grupi A ndahet në: Federatat të cilat merren me Sporte Kolektive dhe kanë vlerën e pikës në shumë prej 3400 euro, dhe Federatat të cilat merren me Sporte Individuale dhe kanë vlerën e pikës në shumën prej 2000 euro. Për grupin B vlera e pikës është 1600 euro, për grupin C vlera e pikës është 1200 euro dhe për grupin D vlera e pikës është 800 euro.

Ndërkaq, me vendimin Ministrja Dumoshi ka caktuar vlerën financiare të pikëve për sportistët dhe trajnerët. Vlera e pikës është në shumën prej 150 euro edhe për sportistë edhe për trajnerë.

“Jam shumë e lumtur që sot nënshkrova vendimet për vlerën e poentimit të pikëve për federatat, sportistët e trajnerët, sepse kjo përcakton edhe nga sa para do të marrin njerëzit e sportit në Republikën e Kosovës. Duke pasur parasysh ditët e vështira nëpër të cilat po kalojmë, kam kërkuar që mjetet t’u barten sa më shpejtë federatave, sidomos tremujori i parë, si dhe sportistëve e trajnerëve”, ka thënë ndër të tjera ministrja, transmeton Koha.net.