Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Cadizi, ekipi nga La Liga që i bën gjërat ndryshe

Cadiz, 23 dhjetor (BBC) - Pas një mungese prej 14 sezonesh, shtatë prej të cilave i kaluan në nivelin e tretë, “Çeta e çmendur” e vetë futbollit spanjoll, nga qyteti i gjallë e festiv, që është Cadizi, ekipi me emrin e njëjtë përsëri u kthye në La Liga. Që nga kthimi në elitën e futbollit spanjoll, Cadizi po tregohet po aq i paparashikueshëm dhe argëtues sa edhe vetë qyteti prej nga vjen.

Cadizi ka fituar si mysafir i Real Madridit (1:0), si dhe ka mposhtur në shtëpi Barcelonën (2:1) këtë edicion. Aktualisht ekipi është vetëm tri pikë larg pozitës që sezonin e ardhshëm siguron pjesëmarrjen në kupat evropiane. Një qytet gadishulli me një pasuri të pamjeve tërheqëse dhe monumenteve historike të ruajtura mirë, me qasje nga dy ura kryesore, Cadizi është më i famshëm për karnavalin e tij vjetor, një festë e gjatë dyjavore që daton nga shekulli XVI, e dyta për nga rëndësia pas atij të Rio de Janeiros që mbahet çdo vit. Të njohur në të gjithë Spanjën për theksin e padepërtueshëm që madje edhe disa andaluzianë e kanë të vështirë të kuptojnë, njerëzit e qytetit të Cadizit janë të njohur për dashurinë e tyre, për shaka dhe për t'u argëtuar. Mirëpo tani edhe ekipi i tyre ka filluar të bëhet i njohur në hartën e futbollit të Evropës, jo për shkak të festës, por për rezultate të mira.

Kthimi në elitë

Alvaro Cervera arriti si trajner i Cadizit në vitin 2016, kur ekipi po luante në divizionin e tretë të futbollit spanjoll. Deri në fund të atij edicioni Cadizi siguroi promovimin në kategorinë e dytë përpara se të bënte hapin e madh – kthimin në La Liga që e arriti sezonin e shkuar në përpjekjen e katërt. Ky është një ekip i formuar në imazhin e tij. Ata kanë një frazë kapëse të stampuar me inicialet në fanellat e klubit dhe të shtypura në muret brenda stadiumit “Nuevo Estadio Ramon de Carranza” dhe në zhveshtore. Është forca lëvizëse prapa inicialeve të klubit që e bën Cadizin të veçantë: LLNSN - La Lucha no se negocia (Lufta është e panegociueshme). Origjina e frazës kthehet në një konferencë për shtyp që Cervera e dha kur ishte në sezonin e tij të dytë në klub, dhe njëri nga lojtarët e tij u zhduk gjatë një kampi stërvitor. Ai shpjegoi se sa i lënduar ishte nga ky veprim, sepse e kishte konsideruar gjithmonë veten shumë të hapur kur negocionte lirinë e lojtarit, periudhat e pushimit e kështu me radhë, për arsyen e thjeshtë se ai vetë kishte qenë edhe futbollist. “Por”, shtoi ai, pothuajse në fund të konferencës se “lufta është e panegociueshme". Dhe pikërisht kjo frazë e tij që nga ajo ditë u bë ajo me të cilën identifikohet skuadra e Cadizit. Skuadra e Cerveras nuk dëshiron topin apo shkon në kërkim të posedimit të tij; ai e kupton që Cadizi nuk ka lojtarë me cilësi të mjaftueshme për të luajtur ndeshjen me posedimin e madh të topit, sistem ky që në fund mund t’ia sigurojë edhe fitoren. Por ai beson se metoda e lojës së tij është një mënyrë legjitime edhe për të fituar. Dhe këtë sezon, njohuria nga ekipet kundërshtare se Cadizi nuk e mban shumë topin në posedim ka qenë çelësi i fitoreve.

“Të gjithë e kanë parasysh se gjatë ndeshjeve nuk duhet ta mbajmë topin në posedim. Dhe, kjo është strategjia ime për t’i fituar ndeshjet. Besoj se është një taktikë e veçantë, por që po tregohet e suksesshme”, thotë Ververa.

Edhe Oviedo kthehet në La Liga pas 24 vjetësh Futboll Oviedo kthehet në La Liga pas 24 vjetësh

Ndeshja kundër Barcelonës ishte një çështje e veçantë. Cervera përqendroi përpjekjet e skuadrës së tij në paketimin e mesit të fushës me tre mesfushorë. Alex Fernandez, normalisht një mesfushor ofensivë, u kërkua të bënte një zhvendosje prapa, kështu që Cadizi atë gjithmonë e kishte të garantuar se të paktën dy futbollistë do t’i kishte prapa mbrojtjes njëri një prej tyre do të dështonte. Me vendosjen kompakte në fushë, Cadiz u sigurua që yllit të Barcelonës, Lionel Messi, do t'i mohohej mundësia për ta kthyer me topin në qendër ose për ta marrë atë atje ku ai mund të bënte dëmin më të madh. Karnavali i qytetit të Cadiz është i famshëm për elementët e tij komikë dhe Barcelona luajti rolin e saj me një mbrojtje histerike qesharake për t’ia dhënë mundësinë ekipit të Cerveras ta fitojë ndeshjen. Ajo që është më e rëndësishme për Cerveran është se ai ka lojtarë që besojnë plotësisht në filozofinë e tij dhe ai ka ndërtuar ekipin e tij përreth tyre. Ekipi e ka kuptuar se fitoret kundër Real Madridit, Athletic Bilbaos dhe Barcelonas, janë prova pozitive se pothuajse në çdo ndeshje ndaj skuadrave të mëdha është më mirë të llogaritet autsajder. Gjatë rrugës ka pasur pengesa për Cadizin, sidomos paraqitja e dobët ndaj Celta Vigos, ekip që në pjesën e parë shkoi me epërsi të thellë 4:0. Zemërimi i Cerveras nga bankina ishte i dukshëm dhe ishte krijuar frika për sigurinë e lojtarëve kur ata do të ktheheshin në zhveshtore pas 45 minutave të parë. Mirëpo, më vonë u kuptua se zemërimi i trajnerit nuk ishte se ekipi i tij po pësonte humbje të thellë, por për shkak se gjatë asaj periudhe ekipi i tij nuk po luftonte.

“Në e kemi frazën tonë, dhe kjo nënkupton që në çdo ndeshje duhet të futemi për të luftuar, pavarësisht rezultatit. Edhe nëse pësojmë humbje të thellë, e rëndësishme është për mua që ekipi të luftojë në fushë e jo të dorëzohet”, insistoi Cervera.

Historia dhe zakonet e veçanta

Djali më i famshëm i futbollit te Cadizi ishte Magico Gonzalez, sulmuesi i El Salvadorit, për të cilin Diego Maradona tha se ishte “pa dyshim në mesin e dhjetë lojtarëve më të mirë që kam parë ndonjëherë të luajnë”. Gonzalez mund të kishte zgjedhur klubet e tij më të mëdha në Spanjë dhe Evropë, por pasioni i tij për Cadizin do të thoshte se ai qëndroi për nëntë sezone - përveç një periudhe të shkurtër kur ai prishi raportet me trajnerin e atëhershëm Benito Joanet - dhe mbetet një legjendë e klubit deri më sot.

Kjo ishte ndoshta gjëja më e mirë, sepse do të ishte e vështirë të imagjinohet ndonjë klub tjetër që do ta duronte “stilin e jetës” së Magicos dhe, posaçërisht, paaftësinë e tij famëkeqe për të arritur në stërvitje me kohë. Skuadra e Valladolidit e provoi atë për nëntë ndeshje në vitin 1985 para se të dorëzohej dhe ta lejonte të kthehej te Cadizi. Një trajner i ngarkuar me përgjegjësinë për të futur Magicon në punë me kohë ishte argjentinasi Hector Veira, një mbret i një fraze futbolli që dikur tha se është “më e vështirë të jesh trajner futbolli sesa të jesh hidraulik në Titanik”. Në një intervistë të fundit, ai zbuloi se Johan Cruyffi e kishte përshkruar Magicon në atë kohë si “një nga pesë lojtarët më të mirë të huaj që luanin në Spanjë”.

Mirëpo, Magico kishte të metat e tij. Unë e thërrisja në stërvitje në orën 10:00 dhe ai do të mbërrinte në 11:00. Apo nëse i thosha të vinte në 11:00, ai sërish do të vinte pas një ore”, tha ai.

Në dëshpërim, Veira doli dhe bleu orën më të madhe dhe me alarmin më të zhurmshëm që mund të gjente, dhe ia paraqiti lojtarit para të gjithëve pas një seance stërvitore që Magico e kishte parë të arsyeshme të merrte pjesë disa minuta para se të mbaronte. Kur kjo nuk arriti të kishte efektin e dëshiruar, ai u paraqit në shtëpinë e lojtarit me një orkestër të plotë dhe këndoi një këngë duke e lutur që të ngrihej nga shtrati. Kur Magico doli në ballkon, ai e njoftoi trajnerin se e kishte bërë këtë jo sepse do të vinte në stërvitje, por sepse po e shijonte shumë muzikën.

“Magico ishte i paparashikueshëm”, kishte insistuar Veira.

Edhe Reali mund ta fitojë La Ligan në fundjavë Futboll Reali mund ta fitojë La Ligan në fundjavë

Në Cadiz gjërat bëhen ndryshe. Për adhuruesit e klubit, këto janë ditë të mërzitshme pas viteve që kishin shumë pak arsye për të festuar. Të shikosh Cadizin është një lidhje që shkon përtej një ndeshjeje futbolli. Gjithçka kishte të bënte me argëtimin. Gjatë viteve të rezultateve të dobëta në divizionin e dytë, kur turmat ishin aq të vogla në tribuna, u bë traditë që në ndeshjet e Cadizit në shtëpi për një grup tifozësh besnikë të qëndronin pas arbitrit ndihmës dhe të pasqyronin lëvizjet e tij duke vrapuar lart e poshtë tribunës. Këtë sezon rreth dhjetë mijë mbështetës të Cadizit që panë të 15 ndeshjet në shtëpi të klubit sezonin e kaluar para se të pezullohej përkohësisht do të shpërblehen për besnikërinë e tyre me bileta falas të sezonit për të shikuar se çfarë mund të arrihet këtë sezon (2020-21). Jo të gjithë tifozët janë në tribuna. Për shembull ekonomi Juanito Marchante, i cili ka qenë në klub për 25 vitet e fundit, kur u pyet se ku do të shkonte nëse nuk mund ta mbante punën me ekipin e parë, ai tha: “Cadiz B, ndoshta. Nuk mund ta imagjinoj veten të jem diku tjetër”. Ai para çdo ndeshjeje të Cadizit si vendas bën atmosferë në zhveshtore duke e aromatizuar atë dhe lëshuar muzikë me këngë popullore “chirigotas” që janë të njohura në karnavalin vjetor të qytetit.

“Kjo është procedurë standarde në klub”, thotë ai.

Pavarësisht, të gjithave, te Cadizi e kanë parasysh se duhet të futen në punë kur bëhet fjalë edhe për rekrutimin e lojtarëve të rinj. Në fillim të këtij viti në një përpjekje për të gjetur talent të ri, Cadizi dërgoi katër trajnerë në Indi. Gjatë një periudhe prej katër javësh (18 janar – 16 shkurt) ata kryen prova në 22 qytete në të gjithë Indinë për të zgjedhur studentë për këtë bursë, tre prej të cilëve u zgjodhën më në fund të vinin në Spanjë për prova. Ndoshta nga kjo ata do të gjejnë një legjendë të re të klubit - dikë që të lë një shenjë, ashtu si Gonzalez dikur.

Synimet e këtij edicioni

Njeriu në krye të këtij projekti të ri të klubit nga La Liga është Manuel Vizcaino, një ish-nënkryetar i skuadrës së Sevillas. Vizcaino është president i Cadizit që nga viti 2014, dhe nuk ka asnjë iluzion në lidhje me detyrën e klubit, edhe pse futbollistët po kënaqen duke fluturuar lart në La Liga. Ai tha se në planin afatshkurtër përparësia e vetme e Cadizit është që të shmanget rënia nga elita këtë edicion.

“Hapi i parë është të mbajmë pozicionin tonë në La Liga”, tha ai. “Nëse mund ta bëjmë atë, atëherë ne do të përqendrohemi në ndërtimin e së ardhmes së Cadizit. Tani ne jemi në divizionin elitar dhe do të përpiqemi të shkruajmë një kapitull të ri në historinë tonë”.

Madhësia e projektit Cadiz do të varet shumë nga mënyra se si ata luajnë në fushë. Një prani e vazhdueshme në La Liga do të sigurojë më shumë të ardhura nga rrugët e tilla si të drejtat televizive dhe me këtë më shumë mundësi për të konkurruar në tregun e transferimeve të futbollistëve.

“Unë dua që Cadizi të jetë ekipi i burrit dhe gruas në rrugë, i njerëzve normalë. Ne e dimë nivelin tonë, ne e dimë pozicionin tonë dhe jemi të sigurt që çdo vit do të jemi më të mirë. Kur e them këtë, atëherë mendoj për të përmirësuar lojtarët dhe lojën e ekipit së bashku me trajnerin”, tha Vizcaino.

Edhe Sevilla prek fundin në La Liga, synon mbijetesën Sport Sevilla prek fundin në La Liga, synon mbijetesën

Por tani për tani, thotë ai, gëzimi më i madh që merr nga të qenit president i Cadizit është kur “dëgjoj vërshëllimin e fundit të gjyqtarit dhe ne kemi shënuar më shumë gola sesa kundërshtari”.

Kjo është bërë një dukuri çuditërisht e rregullt për skuadrën e Cadizit dhe atë kundër disa prej klubeve më të mëdha në botë.