Sport

Pesë skuadra po luftojnë për të shmangur rënien nga La Liga

Me vendet e para në ligën spanjolle pothuajse plotësisht të caktuara, drama është në fund të renditjes. Pesë skuadra - Getafe, Granada, Cadizi, Mallorca dhe Alavesi - të gjitha po përpiqen të shmangin përfundimin në vendet 18-të e 19-të dhe t'i bashkohen Levantes, tashmë që e ka siguruar rënien në kategorinë e dytë sezonin e ardhshëm. Mallorca dhe Alavesi janë aktualisht në treshen e fundit dhe duhet të rishikojnë rivalët gjatë dy ndeshjeve të tyre të fundit për të qëndruar lart.

Të gjitha ndeshjet me ndonjë implikim në renditje do të luhen në të njëjtën kohë të dielën. Getafe hyn në raundin e parafundit në pozicionin më të mirë të grupit të dëshpëruar. Skuadrës që trajneri Quique Sanchez Flores e ndihmoi të kthehej kur ai u kthye për periudhën e tretë në krye, i duhet vetëm një pikë nga dy ndeshjet e mbetura. Getafe së pari përballet me një provë të vështirë në shtëpi kundër një skuadre të Barcelonës që ende kërkon të mbyllë sezonin në vendin e dytë. Nënkampioni i La Ligas, automatikisht e fiton një vend në Superkupën e Spanjës.

Granada, e cila ka fituar dy herë radhazi nën drejtimin e trajnerit të ri Aitor Karanka, është katër pikë përpara zonës së rënies dhe këtë xhiro luan në udhëtim te Real Betisi. Cadizi është vetëm dy pikë larg rrezikut. E pret kampionin Real Madridin të dielën dhe më pas do të luajë me Alavesin në raundin e fundit, duel ky që mund të jetë vendimtar për mbetje në elitë edhe sezonin e ardhshëm. Reali pritet të ketë rotacion në ekip për shkak se trajneri Carlo Ancelotti do t’i ruajë futbollistët e tij për finalen e Ligës së Kampionëve. Në finalen e Championsit, që luhet më 28 maj në Paris, Reali do të përballet me skuadrën e Liverpoolit.

“Shpresoj që Real Madridi të luajë mirë, por me kusht që Cadizi të luajë edhe më mirë. Kjo ndeshje është shumë e vështirë, por ka rëndësi të madhe për neve. Duhet të përpiqemi patjetër ta fitojmë”, ka insistuar trajneri i Cadizit, Sergio Gonzalez.

Skuadra e Mallorcas duhet patjetër t’i fitojë dy ndeshjet e saj të fundit, duke filluar me atë që e luan në shtëpi kundër Rayo Vallecanoa, dhe të shpresojë që rivalët e saj të humbasin pikë. E trajneri Javier Aguirre ka pranuar se do të jetë një mision tejet i vështirë shpëtimi i Mallorcas nga rënia.

“Ne jemi gjallë. Na kanë mbetur edhe dy finale”, tha trajneri Javier Aguirre, pasi skuadra e tij mori një pikë në një barazim pa gola në udhëtim te Sevilla të mërkurën.

Alavesi e ka detyrën më të vështirë nga të gjitha skuadrat që po luftojnë për të shmangur rënien. Klubi i vendit bask është katër pikë larg zonës së sigurisë dhe duhet të mposhtë Levanten, përpara se të shpresojë që të arrijë në ndeshjen e fundit kundër Cadiz me shanset e gjalla për mbijetesë. Klubi ka bërë të ditur se do të paguajë biletat dhe udhëtimin me autobus për rreth 400 tifozë për të shkuar në ndeshjen e së dielës ndaj Levantes në Valencia.

Pranë kreut të renditjes, Sevilla ende duhet të mbyllë vendin e katërt, i cili është e fundit për të dërguar sezonin e ardhshëm në Ligën e Kampionëve. Aktualisht, Sevilla është e katërta me pesë pikë më shumë se Betisi i vendit të pestë, përpara se ta vizitojë Atletico Madridin të dielën mbrëma në stadiumin “Wanda Metropolitano”.