Trajneri Bylbyl Sokoli e ka ndërprerë bashkëpunimin me Llapin ende pa nisur kampionati.
“Kohavisioni” ka provuar të flasë me Sokolin lidhur me largimin e tij, por kontakti me të ka qenë i pamundur gjatë ditës. Megjithatë, burime të Sportit në KTV brenda klubit, bëjnë të ditur se arsyeja që Sokoli ka vendosur të largohet nga skuadra e Llapit, është çështja e konceptit të ndërtimit të skuadrës, si dhe përzierjet e shumta nga shumë njerëz brenda klubit llapjan, përzierje këto që nuk i ka toleruar Sokoli, dhe ka vendosur që të largohet.
“Kohavisioni” e ka kontaktuar edhe drejtorin sportiv, Tahir Batatina, i cili ka deklaruar se nuk është në dijeni që Bylbyl Sokoli është larguar. Ai ka theksuar se nuk ka marrë asnjë mesazh nga trajneri dhe, sipas tij, asgjë zyrtare nuk ka.
Për “Profën”, interesim ka shprehur edhe Ferizaj, që ka nisur bisedimet për një rikthim të mundshëm.
Sokoli e mori drejtimin e Llapit në muajin qershor me synime të mëdha që të sjellë titullin e kampionit në Podujevë, por aventura e tij si duket ka përfunduar ende pa nisur.