Gjilani ka qenë ndër skuadrat që ka pasur më së shumti probleme me lëndime në edicionin 2020/2021 të Superligës së Kosovës në futboll. Në 11 ndeshjet e këtij edicioni trajneri Gentjan Mezani dhe Sallah Sherifi, që e drejtoi ekipin në mungesë të Mezanit për shkaqe familjare, nuk e kanë pasur ekipin e kompletuar. Por me gjasë problemet për Gjilanin sa u përket lojtarëve të lënduar kanë marrë fund.
Drejtori sportiv, Sevdail Robelli, ka thënë për KOHËN se më në fund ekipi është i kompletuar për ndeshjet e radhës që e presin ekipin gjilanas. Sipas tij, Gjilani po vazhdon përgatitjet për ndeshjet e ardhshme me synim që të vazhdojë me rezultate pozitive.
“Janë kthyer në stërvitje Tomislav Bushiqi, Razak Keita, Franc Veliu, Ylber Kastrati dhe disa lojtarë të tjerë që kanë qenë të lënduar. Bushiqi nuk ka luajtur që nga fillimi i pandemisë, kur ishte lënduar në stërvitje në muajin maj, kurse Razaku nuk luajti asnjë ndeshje të këtij sezoni, pasi u lëndua në fund të edicionit të kaluar. Më në fund ekipi është i kompletuar, pasi kemi pasur telashe të mëdha. Gjilani po vazhdon përgatitjet për ndeshjen e radhës kundër Drenicës dhe jemi të kënaqur që do ta kemi ekipin e kompletuar për të vazhduar serinë pozitive të rezultateve”, tha Robelli.
Rikthimin në stërvitje e ka konfirmuar edhe sulmuesi Tomislav Bushiq. Kroati ka deklaruar se për momentin po stërvitet individualisht dhe beson që shumë shpejt do të mund të paraqitet në fushë për ta ndihmuar Gjilanin në vazhdim të edicionit.
“Të mërkurën e kaluar jam kthyer në stërvitje me Gjilanin dhe kam filluar përgatitjet individuale. Shpresoj që do të jem i gatshëm për t’i luajtur ndeshjet në vazhdim të kampionatit. Për momentin gjithçka është në rregull. Më kanë munguar ndeshjet, pasi për një profesionist është shumë e vështirë kur lëndohesh dhe nuk mund të luash. Gjëja më e keqe për një futbollist është lëndimi. Por tani lëndimi i takon të kaluarës dhe me padurim po pres të luaj”, u shpreh Bushiq.
Ai tregon se për ndeshjen e radhës që Gjilani e luan kundër Drenicës në fundjavë si mysafir, nuk do të jetë i gatshëm. Megjithatë beson se do të mund të ndihmojë ekipin në takimet e radhës në mënyrë që Gjilani të arrijë objektivat që ka para vetes.
“Për ndeshjen ndaj Drenicës nuk besoj që do të jem i gatshëm, por për ndeshjet e radhës po. Më presin gjëra të mëdha për ta ndihmuar ekipin që t’i arrij synimet. Kemi një skuadër të mirë dhe mund t’ia dalim”, tha Bushiq, i cili në të kaluarën ka luajtur edhe për Hajdukun e Splitit, duke e fituar edhe titullin e kampionit të Kroacisë.
Në sezonin e kaluar 34-vjeçari e ndihmoi Gjilanin që të sigurojë pjesëmarrjen në garat evropiane për herë të parë në histori të klubit. Bushiqi kishte shënuar 8 gola, duke qenë shënuesi i tretë më i mirë i ekipit pas Fiton Hajdarit (11) dhe Gerhard Prognit (12). Por Bushiqi dhe Razak Keita, që ishin ndër lojtarët kryesorë të skuadrës së Gjilanit në edicionin e kaluar, shkaku i lëndimeve nuk mundën ta ndihmojnë Gjilanin në Ligën e Evropës. Gjilani arriti ta kalojë fazën parakualifikuese, ku triumfoi ndaj Tre Pennes si mysafir, 3:1. Ndërkaq në ndeshjen e rrethit të parë u eliminua nga Apoeli, 2:0, pas 120 minutash lojë.
Në këtë sezon Gjilani ka seri pozitive të rezultateve ku nuk ka pësuar humbje në 10 ndeshje radhazi. Disfatën e vetme në kuadër të këtij kampionati ia ka shkaktuar Feronikeli, 4:0. Që nga ajo ndeshje gjilanasit kanë shënuar pesë fitore dhe po aq barazime. Ekipi nga Anamorava ka mbrojtjen më të fortë në ligë, ku ka pranuar vetëm 5 gola. Në gjashtë ndeshjet e fundit portieri Enea Koliqi e ka mbajtur portën e paprekur. Gjilani renditet në pozitën e tretë me 20 pikë të mbledhura pas 11 ndeshjeve të zhvilluara. Gjilanasit kanë gjashtë pikë më pak se Ballkani që është lider dhe tri më pak se Drita që renditet e dyta, por që “Intelektualët” kanë një ndeshje më pak të luajtur.