Ishte ndër talentet më të mëdha në Kroaci dhe filloi të shkëlqente në moshë të re. Titulli i kampionit me Hajdukun e Splitit dhe çmimi i golashënuesit më të mirë te ekipi kroat me 11 gola të shënuar brenda sezonit, ishin sukseset më të mëdha qysh në fillim të karrierës dhe vazhdojnë të mbeten ende pas 15 vjetësh.
Bëhet fjalë për sulmuesin Tomislav Bushiq të Gjilanit, i cili në fillimet e karrierës ka luajtur edhe me Luka Modriqin, Mario Manxhukuqin e shumë yje të tjera kroate që veshin fanellat e klubeve të mëdha evropiane.
Titullin e vetëm të kampionit në futbollin kroat, Bushiq e kishte arritur me Hajdukun në sezonin 2004/2005 dhe që nga ajo kohë, klubi kroat nuk e ka fituar më kurorën e më të mirit. Fatin e sukseseve që kishte me skuadrën ku është rritur – Hajdukun - Bushiq shpreson që ta përsërisë edhe me Gjilanin, klub që është në garë për titullin e kampionit të Kosovës.
Sulmuesi 34-vjeçar ka insistuar se i është bashkuar Gjilanit për t’u shpallur kampion, shkruan KOHA.
“Te Gjilani vendosa të vija pasi më telefonoi trajneri Gentjan Mezani. Te Gjilani jam më i qetë, pasi këtu nuk ka probleme. Në Shqipëri ka pasur më shumë probleme, sidomos probleme financiare. Besoj se mund të shpallemi kampionë. Ka shumë ndeshje deri në fund dhe kam besim që mund të fitojmë titullin. Për këtë kam ardhur këtu dhe një sukses të tillë e do e gjithë skuadra dhe klubi”, tha sulmuesi kroat, i cili pati lëvdata për drejtuesit e klubit, si dhe tifogrupin “Skifterat”.
Bushiqi ka shënuar tetë gola këtë edicion me fanellën e Gjilanit dhe është në mesin e golashënuesve më të mirë të Superligës së Kosovës. Ai ka qenë i lënduar, por beson se që nga kjo fundjavë do të jetë i gatshëm për ta ndihmuar skuadrën gjilanase. Një ëndërr që kishte me Hajdukun e nënvizon se e ka realizuar, dhe tani i mbetet ëndrra tjetër me Gjilanin.
“Për mua ka qenë një ëndërr që të luajë në derbin Hajduk-Dinamo, që e kam realizuar. Kam luajtur para 35 mijë shikuesve më të mirë dhe kam shënuar në minutën e 88-të, duke ia siguruar fitoren Hajdukut. Atë moment nuk do ta harrojë kurrë në jetë. Po ashtu i kam fituar edhe titullin dhe çmimin e shënuesit më të mirë te Hajduku. Shpresoj që t’i përsëris këto suksese me Gjilanin”, deklaroi Bushiq.
Ai tregon se gjatë gjithë kohës së pandemisë ka qëndruar në Kosovë dhe e pranon se e ka pasur shumë të vështirë të mos e shohë familjen që pesë muaj.