Gjilani dhe Feronikeli 74 nuk do të përballen kundër njëri-tjetrit. Por të dyja skuadrat do të zhvillojnë garë të fortë se cila prej tyre do ta sigurojë pa barazh mbijetesën në elitën e futbollit të Kosovës.
Te klubi i futbollit Gjilani ka bindjen se do të jenë ata që qëndrimin në Superligë do ta sigurojnë pa barazh. Gjilani e Feronikeli 74 kanë pikë të barabarta - 34. Gjilani është në vendin e tetë, kurse skuadra nga Drenasi në vendin e shtatë. Deri në fund kanë mbetur edhe pesë xhiro për t’u zhvilluar.
“Sigurisht që Gjilani do të jetë pjesë e Superligës edicionin e ardhshëm, por edhe shumë edicione të tjerë”, ka thënë trajneri i Gjilanit, Gentjan Mezani, të enjten për KOHËN. “E rëndësishme për ne tani është të mendojmë për këto pesë finale që i kemi. Kryesia ka ambicie shumë të mëdha për të ardhmen dhe duke parë përkushtimin dhe dëshirën që kanë, mendoj që e ardhmja e Gjilanit do të jetë vetëm në ngritje”.
Finalen e parë, Gjilani do ta ketë të dielën në udhëtim ndaj Malishevës. Më pas përballet me Llapin në Gjilan. Në xhiron e 34-t luan në udhëtim ndaj Lirisë, që nuk i ka shpëtuar rënies, kurse derbin ndaj Dritës e zhvillon në xhiron e parafundit. Në xhiron e fundit luan në udhëtim ndaj Dukagjinit të Klinës.
“Për ne janë pesë finale dhe në këto ndeshje skuadra duhet të bëjë diçka më shumë se që ka bërë deri tani. Mendoj që një kryesi si kjo, por edhe një tifoz si ‘Skifterat’, nuk e meritojnë pozicionin dhe situatën në të cilën ndodhet skuadra.
Duhet shumë vlerësim si dhe përgjegjësi nga të gjithë për të mos përfunduar në barazh. Mendoj që të gjithë janë kureshtarë për atë që duhet të kryejnë në fushën e lojës. Pa diskutim që mendoj se do të arrijmë ta sigurojmë mbijetesën pa barazh”, ka thënë Mezani.
Mezani u rikthye te Gjilani pas tre vjetësh. Ai për herë të parë drejtimin e Gjilanit e mori në mars të vitit 2019, ndërsa në vitin 2020 dha dorëheqjen. U kthye, ndonëse kishte probleme me organizim. Por Gjilani i tejkaloi pak para se të niste ky edicion telashet me organizim. Rrugës Gjilani u përforcua me disa futbollistë. Vlerësohet se në radhët e veta ka lojtarë cilësorë. Edhe vetë Mezani thotë se po të kishte nga fillimi këtë ekip, Gjilani do të luftonte për trofe.
“Ishte me të vërtetë shumë e vështirë, pasi njerëzit e sportit e dinë shumë mirë që një skuadër e ndërtuar rishtas dhe pa fazë përgatitore në verë për këdo do të ishte mjaftë e vështirë. Në dy fazat e para nuk kemi marrë shumë pikë dhe tani po i vuajmë ato. Nëse do të kishim filluar si të gjitha skuadrat, mendoj që kjo skuadër do të renditej në vendet e sipërme të tabelës”, ka thënë Mezani.