Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Burundi nuk mendon të pezullojë ligën në futboll

Foto: Reuters

Burundi nuk e ka ndërmend të pezullojë ligën në futboll përkundër rrezikut nga pandemia e koronavirusit. Këtë e ka bërë të ditur Federata e Futbollit të Burundit, shkruan agjencia Reuters, transmeton Koha.net.

Federata të dielën ka mbajtur një takim me klubet, ku janë pajtuar për të vazhduar kampionati në futboll.

Shteti në lindje të Afrikës është vetëm një nga katër vendet ku ligat e futbollit po vazhdon të luhet, pasi koronavirusi ka pezulluar sportin në gjithë botën.

“Pas konsultimit me ministrin e Shëndetit Publik, Thaddeus Ndikumana, asambleja e përgjithshme ka vendosur që kampionati i kategorisë së parë dhe të dytë të vazhdojë, ndërsa do të merren masat adekuate higjienike”, është thënë në komunikatë të federatës.

Ka pasur tri raste të konfirmuara me koronavirus në Burundi. Pos, Burundit futboll po luhet edhe në Bjellorusi, Nikaragua dhe Taxhikistan.

Kanë mbetur vetëm edhe tri xhiro deri në fund të stinorit në Burundi. Burundi vitin e kaluar garoi për herë të parë në Kupën e Shteteve të Afrikës.