Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Futbolli në Turkmenistan do të rinisë me tifozë në fundjavë

Turkmenistani, shtet ky në Azinë Qendrore, pritet të rinisë stinorin e futbollit me tifozë në fundjavë, shkruan agjencia Reuters.

Turkmenistani është bërë vetëm shteti i dytë në botë që do të lejojë tifozët në stadiume në këtë kohë të pandemisë COVID-19.

Bjellorusia është shteti i tjetër që po luan me shikues. Ndërkohë futbolli po vazhdon edhe në Nikaragua e Taxhikistan, por ndeshjet po luhen pa shikues. Burundi ka pezulluar ligën për shkak të zgjedhjeve të përgjithshme.

Federata e Futbollit të Turkmenistanit (FFT) kishte pezulluar kampionatin më 24 mars, por nuk kishte thënë arsye për pezullimin. Shteti nuk ka raportuar ndonjë rast me koronavirus. Mirëpo, ka mbyllur kufijtë.

Kampionati i futbollit do të rinisë pas një pushimi trejavorë, kur të dielën klubi Altyn Asyr, që ka fituar titullin në gjashtë stinorët e fundit, do të përballet me rivalin lokal Kopetdag. Tri ndeshje tjera do të luhen të hënën.

Kopetdag, klubi i kontrolluar nga Ministria e Brendshme, kryeson renditjen me shtatë pikë nga tri ndeshje. Federata ka njoftuar se edhe kampionati i të rinjve do të rinisë.