Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Bjellorusia pezullon Premier Leaguen e femrave për shkak të koronavirusit

Foto: Reuters

Federata e futbollit të Bjellorusisë ka vendosur të shtyjë fillimin e stinorit të Premier Leagues së futbollit të femrave, pasi disa lojtare janë zbuluar se kanë qenë në kontakt me persona potencialisht të infektuar me koronavirus, shkruan agjencia Reuters.

Bjellorusia është shteti i vetëm në Evropë ku liga e meshkujve në futboll ende po vazhdon. Liga e Bjellorusisë është duke u përcjellë edhe nga tifozët e huaj, pasi sportet në shumicën e vendeve janë pezulluar.

Federata e Bjellorusisë ka thënë se Premier League e femrave, që ishte paraparë të fillonte sot, është pezulluar në afat të pacaktuar.

Presidenti i Bjellorusisë, Allexander Lukashenko, që është në krye të vendit që nga viti 1994, ka qenë skeptik për nevojat për masa më strikte që kanë marrë shtetet tjera për të parandaluar përhapjen e virusit.

Ministria e Shëndetësisë së Bjellorusisë ka raportuar 3728 raste me koronavirus dhe 36 të vdekur. Lukashenko ka thënë se vdekjet kanë qenë si pasojë e sëmundjeve shoqëruese që kanë pasur pacientët.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) i ka bërë thirrje Bjellorusisë të implementoj masa më strikte për të parandaluar përhapjen dhe të shtunën ka thënë se shpërthimi i virusit në vend po arrinë në një fazë shqetësuese.