Sulmuesi i huazuar nga Chelsea te Vitesse do të luajë kundër vendit ku u lind.
Të dielën, “Tre Luanët” do ta vizitojnë Shqipërinë, dhe në stadiumin “Air Albania” do ta zhvillojnë ndeshjen kualifikuese për Botërorin “Katari 2022”.
Sulmuesi 19-vjeçar u paraqit në formacionin e Edoardo Rejas të enjten, kur Shqipëria fitoi në udhëtim te Andorra me rezultatin 1:0. Edhe pse u lind në Slough, Broja ka treguar arsyet pse e zgjodhi vendlindjen e prindërve të tij.
“Është vendim i rëndësishëm natyrisht kur zgjedh të luash për një shtet. Kam zgjedhur Shqipërinë sepse kam gjak shqiptari, jam shqiptar, prindërit e mi janë shqiptar dhe ka qenë një vendim i lehtë”, ka thënë Broja për portalin “goal.com”.
“Kam dashur që t’i bëj krenar njerëzit atje dhe prindërit e mi. Kam dashur që me Shqipërinë të rritemi dhe të shkojmë në Botëror ose Evropian. Është gjëja më e madhe. Nëse shkojmë në Botëror, do të ishte çmenduri dhe do të shkruanim historinë. Nuk kemi shkuar asnjëherë dhe do të ishte e jashtëzakonshme. E vizitoj Shqipërinë çdo vit dhe është pjesë e jetës sime”, ka shtuar Broja.
Broja ka luajtur për grupmoshat U19 dhe U21 të Shqipërisë dhe ka shënuar tetë gola në po aq ndeshje.
Broja u kthye edhe në sulmuesin më të mirë në akademinë e Chelseat, ndërsa u huazua më pas në Holandë për të marrë më shumë eksperiencë.
Ai synon që me klubin të hyjë në garat Evropiane sivjet. Vitesse e ka mundësinë që ta fitojë trofeun e Kupës së Holandës. Do të luajë kundër Ajaxit.