Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Broja, një tjetër lojtar i Chelseat që synon rritjen te Vitesse

Rruga ndërmjet Chelseat dhe Vitesses është një rrugë e shkelur mirë. Marrëveshja e ekipit nga Premier League me skuadrën nga Eredivisie nuk është sekrete.

Çdo vit, të paktën një lojtar i ri nga “Stamford Bridge” dërgohet në huazim për të fituar minuta me ekipin të parë në kampionatin holandez.

Në fakt, është një marrëdhënie që ka dhënë fryte për të dyja ekipet. Mason Mount, Nemanja Matiq dhe Dominic Solanke, janë ftuar nga vendet e tyre, pasi kanë përfunduar huazimin te Vitesse, ndërsa Matt Miazga dhe Lewis Baker ishin pjesë e skuadrës holandeze që e fitoi Kupën e Holandës për herë të parë në historinë e vet në vitin 2017, transmeton KOHA shkrimin e Goal.

I riu i fundit i Chelseat që është dërguar për të vazhduar zhvillimin e tij në futboll në qytetin e Arnhemit është sulmuesi Armando Broja, i cili muajin e shkuar u huazua për një vit te skuadra e Vitesses, pjesë e së cilës do të jetë përgjatë sezonit 2020/21.

Broja 18-vjeçar, tashmë ka shënuar dy gola në dy ndeshjet e tij të para miqësore për klubin e tij të ri dhe sezoni 2020/21 mund të bëhet i paharrueshëm për sulmuesin që u ftua për herë të parë nga ekipi A i Shqipërisë për ndeshjet e Ligës së Kombeve të këtij muaji.

Kartoni i kuq që e mori në ndeshjen e tij të fundit me U19 të Shqipërisë ka bërë që ai të jetë i pezulluar për ndeshjen që ekipi A e luajti të premten në Minsk kundër Bjellorusisë, por Broja mund ta shijojë debutimin e tij të hënën në duelin kundër Lituanisë që luhet në Tiranë.

Edhe Broja edhe një vit te Vitesse Sport Broja edhe një vit te Vitesse

Broja lindi në qytetin e Slough të Berkshiret nga prindërit shqiptarë, dhe filloi zhvillimin e tij në futboll te klubi amator vendas Burnham Juniors. Pasi ishte provuar te Readingu dhe Fulhami, ai ishte vetëm gjashtë vjeç kur Tottenhami mori vendimin për ta regjistruar atë në strukturën e tyre të rinjve, megjithëse kjo kishte ndodhur rastësisht.

“Isha në një turne me Burnham Juniors dhe aty kishte qenë një skaut i Tottenhamit duke shikuar. Në fakt, ai kishte ardhur për ta vëzhguar një lojtar tjetër të ekipit tim, por unë u shpalla më i miri i turneut dhe në vend të tij më zgjodhi mua. Kështu që, shkova te Tottenhami dhe firmosa”, tha Broja.

Broja, megjithatë, do të qëndronte në veri të Londrës vetëm dy vjet para se të ndërronte Tottenhamin për Chelsean pas disa paraqitjeve mbresëlënëse kundër klubit që ai e mbështeste si fëmijë.