Deri në këtë vit Përfaqësuesja e Brazilit nuk kishte humbur kurrë tri ndeshje rresht. “Selecao” nuk ka humbur kurrë një ndeshje kualifikuese për Kupën e Botës në shtëpi. Nuk kishte pasur kurrë rezultat tjetër veç fitores kundër një ekipi vizitues të Venezuelës, për shumë vjet më i dobëti në Amerikën e Jugut. Trajnerit të përkohshëm Fernando Diniz, megjithatë, i është dashur të durojë të gjitha ato pengesa në vetëm disa muaj në punë - ndërsa Brazili shpreson që trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti, së shpejti do të marrë drejtimin.
Telashet e Dinizit dhe mungesa e një përgjigjeje të konfirmuar nga Ancelotti, kanë rritur presionin mbi ekipin brazilian, edhe pse kualifikimi për Kupën e Botës 2026 pritet ende, pavarësisht humbjes 1:0 nga Argjentina të martën. Gjashtë ekipet e para në grupin kualifikues të Amerikës së Jugut do të hyjnë direkt në turneun me 48 ekipe në SHBA, Meksikë dhe Kanada. Skuadra e vendit të shtatë mund të fitojë një vend në plejofin ndërkontinental.
Brazili, ekipi i vetëm që nuk mungoi kurrë në Botëror, ka fituar vetëm tri nga nëntë ndeshjet në vitin 2023 - rekordi më i keq në vite. Kampioni i pesëfishtë i Botës është në vendin e gjashtë në grupin me 10, ku ka tubuar 7 pikë pas 6 ndeshjeve – tetë më pak se Argjentina që është e para. Shumë analistë të futbollit në Brazil thonë se ekipi ka pasur vështirësi këtë vit sepse Diniz ka pasur pak kohë për të zbatuar taktikat e tij. Lëndimet kanë kontribuar gjithashtu në formën e dobët të ekipit. 49-vjeçari Diniz, i cili e mori drejtimin në korrik, ka ndarë kohën e tij me Brazilin dhe klubin Fluminense. Stili i tij sulmues i lojës admirohet nga shumë njerëz, aq më tepër pas titullit të kupës Libertadores të ekipit të tij këtë vit. Trajneri i përkohshëm nuk është një adhurues i lojës pozicionale, ndryshe nga paraardhësi Tite, i cili u largua pas gjashtë vjetësh as eliminimit në Botërorin “Katari 2022”. Problemi për Brazilin është se formula kërkon kohë për të pasur sukses, siç ndodhi me Fluminense. Pak lojtarë të Brazilit që vijnë nga ligat evropiane e kanë kuptuar se çfarë kërkon trajneri prej tyre.
“Ne kemi një stil tjetër. Është ndryshe nga ajo që kishim me Titen”, tha mbrojtësi Emerson Royal. “Nuk është e lehtë të luash kështu. Pak ekipe në botë mund ta bëjnë këtë. Ajo që Diniz po përpiqet të bëjë me Brazilin është një gjë shumë e vështirë për t'u bërë”.
Për të vështirësuar gjërat edhe më shumë, Brazili ka humbur disa nga lojtarët më të mirë për shkak të lëndimeve, përfshirë titullarët si Neymar, Casemiro dhe Vinicius Junior. Ndeshjet e radhës kualifikuese të Amerikës së Jugut do të zhvillohen në shtator, pas Kupës së Amerikës që mbahet në SHBA. Ky hendek i gjatë do t'i lejojë skuadrës të rikuperojë disa nga lojtarët e saj dhe t'i japë më shumë hapësirë sulmuesve premtues si Vitor Roque dhe Endrick të adaptohen me ekipin. Kritikët do të duhej të prisnin deri në miqësoret e para të vitit 2024 për të parë nëse ekipi do të reagojë. Brazili do të luajë në Evropë kundër Anglisë dhe Spanjës në kuadër të përgatitjeve për Kupën e Amerikës. Deri atëherë trajneri i Brazilit do të duhet të përballet me tifozët e mërzitur.
“Tifozët tanë që thërrisnin ‘Ole’ për Argjentinën kur pasonte topin ishte paksa e tepërt”, tha Diniz pas humbjes së Brazilit. “Ne duhet të jetojmë me talljet dhe presionin”.