Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Brazili, “kampion bote” për shkarkimin e trajnerëve

Pandemia ka rritur papunësinë në nivel rekord në Brazil. Ndonëse jo të lidhur direkt me situatën e krijuar nga pandemia, me shkarkime të lehta po përballet edhe një kategori e caktuar në sportin brazilian – trajnerët e futbollit. Në vendin e futbollit, trajnerët e këtij sporti humbin punën edhe pas pak rezultateve të dobëta. Durimi ndaj tyre ka prekur nivelin më të ulët.

Klubet braziliane mund të llogariten “kampione botërore” në shkarkim të trajnerëve. Numri i të shkarkuarve këtë vit në elitën braziliane është i frikshëm. Në 23 xhiro të luajtura këtë sezon, jo më pak se 22 trajnerë tashmë janë shkarkuar.

Nuk janë vetëm skuadrat në fund të tabelës që “lëkundin” karrigen e trajnerit. Tri javë më parë, kampioni në fuqi i Brazilit dhe Amerikës së Jugut, Flamengo e pushoi nga puna trajnerin Domenec Torrent, ndihmësin e vjetër të Pep Guardiola, pas vetëm tre muajve në krye të skuadrës. Spanjolli u shkarkua edhe pse Flamengo ishte në vendin e tretë në kampionat, me vetëm një pikë më pak se skuadra në krye të tabelës.

Ai u zëvendësua nga Rogerio Ceni, nën drejtimin e të cilit gjigandi nga Rio de Janeiro këtë javë nuk arriti ta mbrojë trofeun e “Copa Libertadores” pasi humbi në finale nga skuadra e Argjentinës, Racingu.

Prej 20 skuadrave që garojnë në Serie A të Brazilit, vetëm pesë nuk i kanë ndryshuar trajnerët këtë sezon. Një studim i fundit zbuloi se Brazili është vendi ku trajnerët e nivelit elitar largohen më shumë nga puna se në çdo vend tjetër të botës.

I drejtuar nga Universiteti i Sportit në Koeln të Gjermanisë, studimi shqyrtoi shkarkimin e trajnerëve në ligën braziliane nga 2003 në 2018. Autorët zbuluan se mesatarisht 37.1 trajnerë u pushuan nga puna çdo sezon në Brazil, kundrejt 21 trajnerëve në Argjentinë, dhjetë në Angli dhe 4.9 në Francë.

Ndërrimi i kulturës

Katër rezultate të këqija rresht, shpesh janë gjithçka që duhet për shkarkimin e trajnerit, zbuloi studimi. Ose eliminimi nga “Copa Libertadores”, gjë që rrit shansin e një trajneri që t’i tregohet dera deri në 560 për qind.

“Fakti që skuadrat po analizojnë performancën në një horizont kohor prej vetëm katër ndeshjesh për të vendosur nëse do të mbajnë trajnerin, tregon se drejtuesit në klubet braziliane dominohen nga logjika afatshkurtër”, thotë studimi.

Ndër klubet e mëdha, Flamengo kryeson listën, me një mesatare prej 1.9 trajnerësh të shkarkuar në sezon, i ndjekur nga Sao Paulo dhe Palmeiras me 1.6. Puna e trajnerit është gjithnjë e më e vështirë, duke pasur parasysh që klubet shpesh janë shumë të shpejta për të shitur lojtarët e tyre më të mirë në Evropë. Flamengo, për shembull, nuk ka qenë i njëjti qëkur mbrojtësi spanjoll Pablo Mari u largua në drejtim të Arsenalit në janar. Madje për shitjen e lojtarëve nuk u tregohet fare trajnerëve.

“Ne duhet të ndryshojmë kulturën tonë. Presidentët e klubeve duhet të dinë pse punësojnë dhe shkarkojnë trajnerët e tyre”, thotë Paulo Vinicius Coelho, një komentator i futbollit.

Përfaqësuesja e Brazilit, kohët e fundit ka qenë një përjashtim nga trendi i shkarkimit të trajnerëve. Përzgjedhësi Tite e ka mbajtur punën që nga viti 2016 dhe rinovoi kontratën e tij deri në vitin 2022 pas botërorit “Rusia 2018”, edhe pse Brazili u eliminua në çerekfinale.

Por ai mund të jetë përjashtimi që dëshmon rregullin e shkarkimit: ai është trajneri i parë i Brazilit që mban punën e tij pas një Botërori - qoftë i fituar apo i humbur nga pesë herë kampionët e botës - që nga Claudio Coutinho në vitin 1978. Ndihmësi i tij, Cleber Xavier, kohët e fundit tha se niveli i lartë i shkarkimit të trajnerëve pas çdo xhiroje është “një nga problemet më të mëdha” në futbollin brazilian.

Ndikimi në cilësinë e ekipeve

Mesatarja e qëndrimit të një trajneri në të njëjtin klub në Serie A të Brazilit është vetëm 65 ditë.

Sidoqoftë, trajnerët e shkarkuar nuk qëndrojnë domosdoshmërisht pa punë. Rreth dhjetë trajnerë, mesatarisht, drejtojnë dy skuadra të ndryshme në elitë brenda një viti të vetëm. Trajneri Ceni është një shembull i tillë. Ish-portieri i Sao Paulos – specialist i gjuajtjeve të lira dhe penalltive, e që mban rekordin botëror për gola të shënuar, 132 – e filloi karrierën e tij si trajner në vitin 2017 në klubin e tij. Mirëpo, Ceni në atë post qëndroi vetëm gjashtë muaj, u shkarkuar pas vetëm 37 ndeshjeve. Me t’u shkarkuar, Ceni zbarkoi në Fortaleza duke e ndihmuar që të ngrihet në divizionin e parë, përpara se ta merrte drejtimin e Cruzeiros. Tre muaj më vonë, ai mori valixhen dhe ishte i lumtur kur Fortaleza e mirëpriti përsëri. Por kjo nuk e ndaloi atë të linte përsëri Fortalezan muajin e kaluar për të marrë frenat në Flamengo.

“Qarkullimi i lartë për trajnerët në Brazil është i keq për zhvillimin e lojtarëve dhe i keq për cilësinë e ekipeve”, shkroi Tostao, sulmuesi fitues i Kupës së Botës të vitit 1970, në kolumnen e tij të rregullt për gazetën “Folha de Sao Paulo”. “Liga duhet të rregullojë punësimin dhe pushimin nga puna, por klubet nuk e duan atë”.

Artikuj të ngjashëm