Sven Botman ka konfirmuar se do të largohet nga Lille gjatë kësaj vere, por ende nuk ka vendosur se ku do të transferohet, përkundër ofertave që i ka marrë nga Milani e Newcastle Unitedi.
Në një intervistë për gazetën holandeze “Algemeen Dagblad”, Botman ka thënë se ka kohë që e ka njoftuar Lillen se dëshiron ta vazhdojë karrierën diku tjetër. Ai gjithashtu ka shtuar se është gati për ta bërë hapin e radhës në karrierë.
“Synimi im është të bëj hap para në karrierë dhe këtë e kanë parasysh edhe te Lille. Ka klube të interesuara për mua, por ende nuk kam vendosur se ku do të luaj”, tha Botman 22-vjeçar. Ai ka kontratë me Lillen deri në vitin 2025 dhe kartoni i tij vlerësohet 30 milionë euro.