Laura Fazliu kishte medalje të argjendtë evropiane. Kishte medalje të argjendtë edhe nga Mastersi, ndërsa medalje argjendi e bronzi kishte nga garat Grand Slam e Grand Prix. Ka kohë që 22-vjeçarja ka nisur të bëjë emër në xhudo me rezultatet që kishte fillimisht te të rejat e më pas te senioret. Por bota e xhudos të shtunën është njoftuar plotësisht me yllin e ri të Kosovës. Laura shkëlqeu në Budapest të Hungarisë, në garën e më të mirëve të sportit ku Kosova ka suksese kulmore. Ajo fitoi të artën në Masters, në kategorinë deri 63 kilogramë. Në Masters të drejtë pjesëmarrjeje kanë vetëm më të mirët nëpër kategori. Laura rreshtoi pesë fitore për të zënë vendin kryesor në podium. Në dy luftërat e fundit mposhti japoneze. Të dyja ish-kampione të botës. Në garë ishte edhe legjenda franceze, Clarisse Agbegnenou, që po ashtu zuri vend në podium. Por më poshtë se Laura.
“Ylli i ri në ardhje i Kosovës”, është titulli i shkrimit të Unionit Evropian të Xhudos (EJU) për Laurën.
Laura ka folur për EJU-në pas finales, por vetëm me asistimin e Distria Krasniqit, kampiones olimpike. Distria i ka përkthyer në gjuhën angleze. Distria të premten fitoi medalje argjendi, ndërsa i është gëzuar medaljes së artë të Laurës, vajzës që herët u largua nga familja për të ndjekur ëndrrën për suksese kulmore në xhudo. Distria e Majlinda Kelmendi, kampionia e parë olimpike nga Kosova, kanë përkrahur zëshëm Laurën nga tribunat.
“Për mua kjo fitore nuk është befasi. Ishte çështje kohe para se Laura të shënonte fitoren e parë në Turin Botëror. Laura është ylli ynë në ardhje. Është pasardhësja jonë. Ajo la shtëpinë në Mitrovicë në moshën 14-vjeçare dhe ka stërvitur me ne në Pejë prej atëherë. Është shumë ambicioze dhe ka hequr dorë nga shumë gjëra”, ka thënë Distria Krasniqi.
Në finale, Laura iu revanshua japonezes Miku Takaichi, prej së cilës pësoi në dhjetor në finale të Mastersit 2022.
“Është e pabesueshme paraqitja e saj. Ajo meritoi fitoren dhe përfundimisht ka hapësirë për të përparuar ende. Është shpresë jona e madhe për Los Angeles 2028, por me këtë formë ka gjasa të mira edhe për medalje olimpike vitin tjetër në Paris. Jam vërtet krenar”, ka thënë trajneri Driton Kuka.
Laura ka pritur se do të zë vend në podium, por e ka befasuar medalja e artë. Ka thënë se është ndier mirë gjatë tërë ditës dhe se nuk ishte nervoze. Triumfin e ka vlerësuar të merituar.
“Kam mësuar nga gabimet në Mastersin e kaluar. Kur e kam kuptuar se do të përballem me kundërshtare të njëjtë në finale, kam menduar se mund ta befasojë. Ia dola të bëjë këtë”, ka thënë Laura Fazliu. Ajo e di që triumfi në Masters është hap i madh. Por synimi kryesor i Laurës është medalja olimpike.
Federata Ndërkombëtare e Xhudos ka shkruar se Laura në finale kishte kontrollin në aspektin taktik dhe po ashtu fizikisht. Aksionet e Laurës për triumf në finale janë vlerësuar shumë të mira. Në analizën që IJF-ja ia bënë paraqitjes në garat e mëdha, përmes një eksperti të saj, është shkruar se Laura Fazliu ka luftuar mirë gjatë gjithë ditës.
“Ishte një paraqitje e jashtëzakonshme që nxori vërtetë në pah përkushtimin e Laurës në stërvitje dhe analizën fantastike që bënë ekipi prapa saj. Kelmendin dhe Krasniqin i pamë duke bërë tifo nga tribunat. Ekipi është shumë përkrahës. Por e tillë është xhudoja. Të gjithë çmojnë përpjekjet e kërkuara për të arritur në majë. Dhe të gjithë japin respekt për ata që ishin më përpara dhe për ata që po vijnë”, ka shkruar IJF-ja.
Laura tashmë njihet nga bota e xhudos. Sakrifica e saj po shpaguhet. Sukseset kulmore po vijnë dhe shpresat për medalje olimpike po rriten me të madhe.