Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Bota e futbollit në zi pas vdekjes së legjendës Mueller

Qendërsulmuesi efikas, Gerd Mueller, kishte fituar trofe të shumtë me Bayern Muenchenin dhe Gjermaninë Perëndimore. Legjenda gjermane ka vdekur të dielën në moshën 75-vjeçare

Muenchen, 15 gusht – Gjermania dhe bota e futbollit është në zi për vdekjen e Gerd Muellerit, njëri prej sulmuesve më të mirë të të gjitha kohëve. Mueller ishte fitues i serik i trofeve me Bayern Muenchenin dhe Gjermaninë Perëndimore, ndërsa ka vdekur të dielën në moshën 75-vjeçare.

I njohur si “Der Bomber”, Mueller ka bërë histori si me klub, ashtu edhe me përfaqësuese. Për Bayernin ai ka shënuar plot 566 gola në 607 ndeshje garuese. E ka fituar Kupën Evropiane për klube kampione tri herë rresht, nga viti 1974 e deri në vitin 1976. Për Gjermaninë ka shënuar 68 gola në 62 paraqitje. Këtu përfshihen edhe dy golat në finalen e Evropianit të vitit 1972 dhe goli i fitores në ndeshjen vendimtare të Kampionatit Botëror të vitit 1974.

“Gerd Mueller është një prej sulmuesve më të mëdhenj që kemi parë ndonjëherë. Emri i tij nuk është i njohur vetëm në Gjermani apo Evropë, por në gjithë botën. Kjo falë aftësisë së jashtëzakonshme për të shënuar gola, që ishte thuajse e pakrahasueshme në atë kohë”, ka thënë presidenti i UEFA-s, Aleksandar Çeferin.

“Në emër të komunitetit evropian të futbollit, dua të shpreh trishtimin tim për vdekjen e një personaliteti të madh të futbollit dhe u dërgoj ngushëllimet e mia familjes, miqve dhe ish-bashkëlojtarëve të tij në këtë kohë të vështirë”, ka vazhduar Çeferin.

I lindur në Noerdlingen, Mueller nisi karrierën me klubin lokal Noerdlingen 1861, para se t’i bashkohej Bayernit në vitin 1964. Karriera 15-vjeçare te Bayerni solli edhe triumfin në Kupën e Fituesve të Kupave në vitin 1967 dhe triumfin në Kupën Interkontinentale në vitin 1976. Po ashtu, Mueller fitoi katër tituj të Bundesligës dhe katër Kupa të Gjermanisë.

Edhe Vdiq legjenda e futbollit Gerd Mueller Sport Vdiq legjenda e futbollit Gerd Mueller

“Sot është një ditë e trishtueshme dhe e errët për Bayernin dhe gjithë tifozët e tij”, ka thënë presidenti i Bayernit, Herbert Hainer. “Gerd Mueller ishte sulmuesi më i madh ndonjëherë, një njeri i mirë dhe karakter në botën e futbollit. Ne jemi të gjithë të bashkuar në këtë moment të vështirë me gruan e tij, Uschi dhe familjen e të ndjerit. FC Bayerni nuk do të ishte klubi që të gjithë e duam ne pa Gerd Muellerin. Emri dhe kujtimi i tij do të jetojë gjithnjë”.

Mueller ka përfunduar karrierën te skuadra Fort Lauderdale Strikers. Ai ka të arritura të shumta individuale. Ka bilanc të pabesueshëm prej 0.97 gola për ndeshje në Kupën Evropiane. Është rekord për një lojtar që i ka të paktën 20 ndeshje në garën elitare për klube të futbollit në Evropë.

Tri prej 34 golave të tij në garë erdhën gjatë finaleve të fituar. Shënoi dy herë në finalen e përsëritur ndaj Atletico Madridit në vitin 1974 dhe një në finalen ndaj Leeds Unitedit në vitin 1975.

I ndjeri Mueller, po ashtu ka përfunduar shtatë herë golashënuesi më i mirë në Bundesligë. Totali i tij prej 365 gola në elitën gjermane mbetet i paarritshëm. Ai ka shënuar 40 gola në një edicion të vetëm, 1971/1972. Ky rekord është kaluar vetëm nga Robert Lewandowski edicionin e kaluar.

“Lajmi për vdekjen e Gerd Muellerit na ka mërzitur të gjithëve”, ka thënë shefi ekzekutiv i Bayernit, Oliver Kahn. “Ai është njëri prej legjendave më të mëdha në histori të Bayernit. Të arriturat e tij janë të pakrahasueshme dhe do të jenë gjithnjë pjesë e historisë së madhe të Bayernit dhe futbollit gjerman. Si lojtar dhe si person, Mueller ka dhënë shumë për Bayernin dhe ka kontribuuar si asnjë tjetër që klubi të jetë prej më të mëdhenjve në botë. Gerd do të jetë përgjithmonë në zemrat tona”, ka shtuar Kahn.

Edhe Shkëlqimi i Neuerit hap diskutimet për kthimin e tij te Gjermania Futboll Shkëlqimi i Neuerit hap diskutimet për kthimin e tij te Gjermania

Edhe për Gjermaninë Perëndimore, Mueller ishte i jashtëzakonshme. Ai përfundoi golashënuesi më i mirë i Kupës së Botës të vitit 1970 me dhjetë gola. Të njëjtin vit e fitoi Topin e Artë. Ka shtuar katër gola në Kampionatin Evropian të vitit 1972. Dy golat në finale e ndihmuan Gjermaninë të fitoi 3:0 ndaj Bashkimit Sovjetik.

Dy vjet më vonë, ai ka regjistruar katër gola të tjerë në Kupën e Botës të vitit 1972, duke përfshirë një në finale.

“Me Gerd Muellerin ne kemi humbur një pjesë të rëndësishme të historisë së futbollit gjerman”, ka thënë nënpresidenti i Federatës së Futbollit të Gjermanisë, Peter Peters. “Jemi të prekur dhe shumë të trishtuar. Ngushëllimet tona shkojnë për familjarët që kanë pasur periudhë të vështirë dhe të cilëve u dëshirojmë shumë forcë për të përballuar situatën. Ne të njëjtën kohë shprehemi me shumë respekt për veprën jetësore të Gerd Muellerit. Për mua, ai është sulmuesi më i mirë në histori të futbollit”, ka shtuar Peters.

Muelleri njihet si lojtar shumë i efektshëm në zonën e kundërshtarit. Ishte rrezik i vazhdueshëm për portën rivale dhe ka mundur të shënojë nga çdo pozitë. Sa herë që ka pranuar topin, ka rrezikuar të shënojë, pavarësisht se në çfarë pozite ishte.

“Kam shënuar gola më të bukur, por më i rëndësishmi ishte ai që na bëri kampion të botës”, kishte thënë Mueller.

Edhe Mulleri përshëndetet me humbje nga Bayerni Futboll Mulleri përshëndetet me humbje nga Bayerni

Në vitet e fundit, Mueller ka vuajtur nga një sëmundje e rëndë.

“Faleminderit Gerd. Pa këtë njeri, Bayerni nuk do të ishte klubi që është sot. Po ashtu karriera e shumicës prej nesh me gjasë nuk do të ishte e mundur. Mendimet e mia janë me familjen. Jam krenar që mund ta quaj atë njërin prej trajnerëve të mi”, ka thënë ish-futbollisti i njohur gjerman, Bastian Schweinsteiger.