Trajneri i Yllit, Adis Beqiragiqit ka udhëhequr përfaqësuesen e Bosnjë-Hercegovinës drejt një fitoreje shumë të madhe të dielën mbrëma në Eurobasket.
Bosnja ka fituar ndaj kampiones në fuqi të Evropës, Sllovenisë, me rezultatin 97:93. Ndeshja në Koeln ishte shumë dramatike, ndërsa është vendosur vetëm në aksionet e fundit.
Sllovenia e ka fituar çerekun e parë me rezultat 32:26, ndërsa boshnjakët janë kthyer gradualisht. Çerekun e dytë e kanë fituar 23:20, ndërsa të tretin me shifrat 23:21. Periudha e fundit i takoi Bosnjës me rezultat 25:20.
Xhanan Musa udhëhoqi Bosnjën me 22 pikë, pesë kërcime e pesë asistime. Ylli Jusuf Nurkiq realizoi 12 pikë e nëntë kërcime. Ndeshje të madhe kishte edhe Miralem Haliloviq me 13 pikë e dhjetë kërcime, ndërsa John Roberson ishte më efikasi me 23 pikë.
Goran Dragiq u dallua te Sllovenia me 20 pikë, pesë kërcime e gjashtë asistime. Ylli i NBA-së, Luka Donçiq, ndeshjen e mbylli me 16 pikë, tetë kërcime e tetë asistime.
Bosnja e Sllovenia tani i kanë nga dy fitore e një humbje në grupin B.