Fituesi i Kupës së Botës me Gjermaninë, Jerome Boateng, është paraqitur në një gjykatë në Munich të enjten në mëngjes pasi po përballet me akuzat për sulm ndaj ish-të fejuarës, Sherin Senler.
33-vjeçari Boateng akuzohet për lëndime të rrezikshme në Senlerin, e cila është nënë e binjakeve. Ky incident kishte ndodhur në vitin 2018.
Boatengu u shfaq në gjykatë bashkë me avokatin e tij Kai Walden. Nëse shpallet fajtor, Boatengu mund të dënohet me burgim deri në pesë vjet.
Vitin e kaluar, gazeta gjermane “Bild” kishte raportuar se Boatengu, i cili tani luan në Francë për Lyonin, akuzohet se e ka sulmuar Selnerin duke e gjuajtur me mbajtëse të qirinjve gjatë pushimeve.
Përfaqësuesit e Boatengut kanë thënë se këto akuza janë të bazuara në fakte të pavërtetuara nga pala e tretë, edhe pse detajet tjera nuk dihen. Boatengu i ka mohuar këto akuza po ashtu. Boatengu dhe ish-partnerja e tij kanë qenë së bashku për 10 vjet dhe kanë dy fëmijë.