Sulmuesi spanjoll, Jalen Blesa, është i kënaqur me formën që po kalon me fanellën e Prishtinës në edicionin aktual. Por, sulmuesi 22-vjeçar nuk ka dëshirë t’i marrë të gjitha meritat për golat që ka shënuar deri më tani. Thotë se forma e mirë është si rezultat i ndihmës që ka marrë nga bashkëlojtarët, stafi i trajnerëve dhe drejtuesit e klubit.
“Ndihem mirë dhe shumë i lumtur që po shënoj gola të rëndësishëm për klubin më të madh në Kosovë. Është gjithmonë një nder për mua. Faleminderit edhe bashkëlojtarëve të mi që bënë më të mirën për të më ndihmuar në fushën e stërvitjes dhe në ndeshje. Po më pëlqen shumë ky moment. Si futbollist ju gjithmonë dëshironi që këto momente të jenë duke luajtur në maksimumin e aftësive tuaja, kështu që po ndihem shumë mirë dhe i fokusuar”, ka thënë Blesa të enjten për KOHËN.
Blesa ka shënuar tetë gola nga 16 ndeshje të zhvilluara në Superligë, ndërsa të mërkurën shënoi dy gola edhe Kupë kundër Rahovecit. Prishtina e nisi mbrojtjen e trofeut të Kupës me rezultatin 2:0 dhe kualifikim në 1/8 e finales.
“Unë thjesht dua ta ndihmoj skuadrën të fitojë sa më shumë ndeshje që të jetë e mundur. Kudo që mund të ndihmoj, duke shënuar apo asistuar, do të bëj më të mirën time në çdo ndeshje për t’i realizuar objektivat e klubit. Dua që unë dhe skuadra të bëjmë më të mirën për t’i realizuar objektivat”, ka theksuar Blesa.
Kupa mbetet synimi i vetëm i klubit të kryeqytetit. Prishtina ka mbetur prapa në garën për titull të kampionit. Zë vendin e pestë në tabelë me 22 pikë të tubuara. Lider i Superligës është kampioni i Kosovës, Ballkani, me 38 pikë. Ballkani ka dy ndeshje më pak të zhvilluara se secila skuadër e Superligës.
Megjithatë, Blesa thotë se Prishtina mund të dalë fituese në njërën prej dy garave të futbollit kosovar. Ai pranon se gara për titull është e vështirë.
“Në futboll nuk e dinit kurrë, por ne thjesht duam të jemi në top 3 ekipet më të mira dhe të fitojmë kupën për të luajtur futboll në Evropë”, është shprehur ai.
Blesa po ndihet mirë në Kosovë, ndërsa thekson se si në Istog e Rahovec ashtu edhe në Prishtinë është pritur shumë mirë. Ai Prishtinës iu bashkua në janar të këtij viti. Blesa është zhvilluar te klubi Arlesey Town të Anglisë. Ai po ashtu vlerëson edhe punën e trajnerit, nigerianit Emmanuel Egbo te Prishtina. Thotë se ndikimi i tij ka qenë pozitiv.
“Ndikimi ka qenë shumë pozitiv ndaj të gjithëve, mendoj se skuadra e ka pritur shumë mirë dhe është pajtuar me atë që dëshiron trajneri. Ai është një trajner shumë i disiplinuar me një stil të shkëlqyer loje dhe ekipi kishte nevojë për një strukturë. Duke pasur një grup të lojtarëve të rinj, ju gjithmonë keni vend për përmirësim dhe ai do të marrë më të mirën nga unë dhe pjesa tjetër e grupit”, ka thënë Blesa.
Blesa ndihet krenar që është pjesë e Prishtinës, ekip me të cilin ka kontratë të vlefshme deri në verën e vitit 2025.