Sport

Bledi Shkëmbi me mision te Ballkani, kërkon titullin dhe daljen në Evropë

Bledi Shkëmbi është emëruar trajner i Ballkanit. Lajmin e ka bërë publik klubi nga Suhareka, të dielën në mbrëmje.

Ish-futbollisti i njohur do ta zëvendësojë të shkarkuarin Ismet Munishi. Për Shkëmbin, Ballkani do të jetë skuadra e dytë kosovare që do ta drejtojë. Ai ishte në krye të Lirisë në sezonin 2017/2018, ku kishte përfunduar në pozitën e shtatë, pavarësisht që deri në xhirot e fundit ishte në garë për titull.

Në një intervistë për KOHËN, Shkëmbi ka deklaruar se parimisht është pajtuar që të marrë drejtimin e Ballkanit, por ende nuk e ka nënshkruar kontratën.

“Parimisht jemi marrë vesh që unë ta drejtoj Ballkanin. Këto ditë do të vij në Kosovë dhe do të nënshkruaj kontratën. Kam biseduar me drejtorin e klubit dhe me presidentin dhe oferta e tyre më ka pëlqyer. Kam pasur kontakte edhe më disa klube të tjera në Kosovë, por oferta e Ballkanit më pëlqeu më shumë”, u shpreh Shkëmbi.

Kësaj radhe trajneri nga Shqipëri do të vijë me mision të qartë, që ta shpallë Ballkanin kampion të Kosovës për herë të parë në histori të klubit. Është i vetëdijshëm se futbolli kosovar ka ndryshuar që nga koha kur ishte për herë të parë.

“Patjetër që ëndrra ime është të bëhem kampion me Ballkanin. Është kënaqësi shumë e madhe ta drejtoj Ballkanin. Unë jam trajner i ri. Luajta në Evropë me Teutën dhe dua të përsërisë këtë edhe me ekipin e Ballkanit. Që kur unë isha trajner i Lirisë, në Kosovë ka përparime në futboll. Ka shumë klube që po investojnë dhe po ashtu shumë lojtarë cilësorë. Sigurisht që rikthimi im tani është më ndryshe dhe me synime të qarta”, tha Shkëmbi, i cili megjithatë nuk e premton titullin.

“Unë jam trajner i ri, por në futboll jam i vjetër. Në futboll nuk premtohet asnjëherë asgjë, por synohet të arrihet. Premtimet në futboll, qind për qind, nuk mund të bëhen, por unë premtoj punë dhe angazhim për të arritur objektivat. Do të punojmë”.

Shkëmbi mendon se e njeh mirë Ballkanin dhe ekipet tjera kosovare. Ai vlerëson se e ka një skuadër cilësore.

“Mendoj që e njoh mirë Ballkanin, po aq sa i njoh disa ekipe në Kosovë. Unë edhe kur kam qenë trajner i Teutës e kam përcjell futbollin kosovar. Për Ballkanin ka vetëm fjalë të mira. Është skuadër cilësore dhe ka lojtarë shumë të mirë”, shtoi trajneri që ishte vlerësuar lartë për punën te Liria.

Sipas Shkëmbit, janë disa ekipe të cilat do të luftojnë për titullin e kampionit.

“Mendoj që janë disa ekipe që do të luftojnë për titull të kampionit.. Janë ekipe shumë të forta. Mendimi im është që Ballkani ka diçka më shumë që të bëjë kampionat të mirë dhe të fitojë titullin”.

Bledi Shkëmbi e falënderon trajnerin Ismet Munishi, për të cilin ka vetëm fjalë të mira.

“Trajnerin Ismet Munishi e njoh, edhe si trajner, por edhe si lojtar. Kam mendim pozitiv. Ka bërë punë të madhe. Më vjen keq për atë që ka ndodhur, por ne trajnerët jemi në situata të tilla, me një këmbë për t’u larguar. Sinqerisht e komplimentoj për punën e mrekullueshme që ka bërë”, theksoi Shkëmbi.

Në fund, ai flet edhe për afatin kalimtar. Për momentin mendon se Ballkani nuk ka nevojë për përforcime.

“Mendoj që Ballkani është i forcuar dhe për momentin nuk mendoj që duhet të ketë ardhje të reja. Por kur ta shoh nga afër skuadrën do të shohim dhe do të vendosim”, përfundoi Shkëmbi.

Përveç Lirisë së Prizrenit, 41-vjeçari e ka drejtuar edhe Teutën e Durrësit, me të cilën skuadër ka luajtur në garat evropiane.