Gjyqi 11-ditor i Sepp Blatterit dhe Michel Platinit me akuzat për mashtrim të FIFA-s fillon të mërkurën – duke sjellë më në fund rënien epike të ish-liderëve botërorë të futbollit në gjykatën penale. Pasojat nga ky rast e rrëzuan Blatterin përpara afatit si president i FIFA-s dhe i dhanë fund fushatës së Platinit për të pasuar ish-mentorin e tij. Kjo gjithashtu hoqi edhe Platinin si president i UEFA-s, organi drejtues i futbollit evropian.
Në vitin 2015, prokurorët federalë në Zvicër zbuluan hetimin e tyre për një pagesë prej 2 milionë dollarësh nga FIFA për Platinin që ishte bërë katër vjet më parë. Dyshja do të dalë në gjyq në Bellinzona. Akuzat shtesë përfshijnë falsifikimin e faturës në vitin 2011 që lejoi Blatterin të autorizonte FIFA-n, të paguante 2 milionë franga zvicerane që Platini kishte kërkuar. Pretendimi ishte që ish-futbollisti francez të paguhej me para shtesë për të qenë këshilltar – pa pasur një kontratë për të – në mandatin e parë presidencial të Blatterit (1998-2002).
Të dy kanë mohuar prej kohësh akuzat dhe pretendojnë se kishin një marrëveshje verbale në vitin 1998. Kjo mbrojtje fillimisht dështoi me gjyqtarët në komitetin e etikës të FIFA-s, i cili i ndaloi ata nga futbolli dhe më vonë në apelime të veçanta në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS). Tashmë çështja vjen në një gjykatë penale, e cila do të mbahet vetëm deri në drekë çdo ditë për shkak të shëndetit të 86-vjeçarit Blatter, 18 muaj pasi ai ishte në komë pas një operacioni në zemër. Blatter do të merret në pyetje të mërkurën dhe Platini një ditë më vonë. Të dy pritet të japin fjalën përfundimtare më 22 qershor, kur përfundon gjyqi.
Tre gjyqtarët federalë që dëgjuan çështjen janë planifikuar të japin verdiktin e tyre më 8 korrik. Blatter dhe Platini përballen secili deri në pesë vjet burg, por dënimet me kusht janë një opsion i mundshëm. Blatter tha në një deklaratë se gjithçka ishte llogaritur siç duhej dhe ai është optimist për shanset e tij në gjyq. Platini denoncoi ato që ai i quajti “akuza të pabaza dhe të padrejta”. Ai ka pohuar se akuzat iu dhanë prokurorëve në një komplot për ta ndaluar atë të bëhej president i FIFA-s. Argumentet dhe provat në gjykatë do të rishikojnë kulturën politike të FIFA-s të diskredituar gjerësisht gjatë presidencës 17-vjeçare të Blatterit, dhe rreth kohës kur Katari fitoi në mënyrë kontroverse të drejtat e organizimit të Kampionatit Botëror të këtij viti. Platini dërgoi faturën e tij në FIFA në janar të vitit 2011, vetëm disa javë pas votimit të Kupës së Botës. Ajo u pagua shpejt ndërsa fushata e ardhshme e rizgjedhjes së Blatterit mori formë. Zyrtari më i lartë i futbollit të Katarit, Mohamed bin Hammam, përdori vrullin e statusit në rritje të kombit të tij në një sfidë të dështuar ndaj Blatterit. Platini shihej si trashëgimtari i supozuar i Blatterit, me gjasë në vitin 2015, dhe një aleat kyç i Bin Hamamit që i nevojitej për të fituar votat evropiane. Në aktakuzën e publikuar prokurorët zviceranë nuk e përmendin politikën e FIFA-s si motiv për pagesë. Ata fokusohen në faktet e pasurimit të Platinit nga një pretendim i paligjshëm i pagave dhe 229.000 franga zvicerane të taksave të sigurimeve shoqërore të paguara nga FIFA në Zuerich. Paratë e Platinit “u llogaritën në përputhje me rrethanat dhe u miratuan nga të gjitha autoritetet përgjegjëse të FIFA-s”, tha Blatter në një deklaratë. Megjithatë, kjo pikëpamje kundërshtohet nga një ish-punonjës. Paratë shtesë nuk u grumbulluan kurrë siç duhej të ishin në llogaritë e FIFA-s që nga viti 1999, sipas llogaritares së atëhershme të FIFA-s, Jeannine Erni, e cila u intervistua për hetime të ndryshme. Ajo tha se pagesa ishte “e çuditshme” dhe dukej e lidhur me zgjedhjet presidenciale të vitit 2011. Një tjetër ish-punonjës, i atëhershëm që ishte kreu i FIFA-s për pajtueshmërinë, Ivo Bischofsberger, tha në pyetjen e cituar nga CAS-i se ai “gjithmonë kishte dyshime për të gjithë historinë”. Kontrata e Platinit me FIFA-n, e nënshkruar në gusht 1999, ishte për 300.000 franga zvicerane në vit. Platini tha se ai kërkoi “1 milion”, por Blatter do të paguante vetëm njësoj si sekretarin e përgjithshëm të atëhershëm të FIFA-s dhe premtoi bilancin më vonë. Kontrata e Platinit skadoi në vitin 2002, kur ai u zgjodh në komitetin ekzekutiv të FIFA-s. Një letër drejtuar tij, e nënshkruar nga Blatter në shtator të vitit 2002, thoshte se marrëveshja e tyre ishte zgjidhur dhe përfunduar. Platini dëshmoi në CAS se ai kërkoi për herë të parë para shtesë në fillim të vitit 2010 pasi FIFA pagoi një ndarje me shtatë shifra për Jerome Champagnen, një ish-diplomat francez që u rrëzua si ndihmës i Blatterit. Fatura kërkonte përfundimisht 500.000 franga zvicerane shtesë për çdo vit të punës këshillimore. Dëshmitarët që duhet të paraqiten në gjykatë përfshijnë dy ish-zyrtarë të zgjedhur të FIFA-s dhe UEFA-s, Angel Maria Villar i Spanjës dhe Antonio Mattarese i Italisë, si dhe ish-prokurori federal Olivier Thormann, i cili u lirua në vitin 2018 për sjellje të pahijshme në hetimin e FIFA-s. Thormann do të merret në pyetje të enjten, ndërsa avokatët e Platinit përpiqen të tregojnë se prokuroria ka bashkëpunuar me zyrtarë të futbollit dhe ka ndihmuar Gianni Infantinon të bëhet president i FIFA-s në vitin 2016. Përpjekjet për të thirrur Infantinon për t'u marrë në pyetje në gjykatë kanë dështuar. Platini gjithashtu ka bërë një kallëzim penal në Francë kundër Infantinos, ish-sekretarit të tij të përgjithshëm në UEFA. Platini dhe Blatter kanë vënë në dyshim se si prokurorët mësuan për pagesën e diskutueshme. Prokurorët zviceranë filluan hetimin e FIFA-s në nëntor të vitit 2014, kur trupi i futbollit paraqiti një kallëzim penal për pastrimin e dyshuar të parave në garat për të organizuar Botërorin e vitit 2018 dhe 2022. Rusia dhe Katari fituan ato vota nga Komiteti ekzekutiv i FIFA-s në dhjetor të vitit 2010. Autoritetet zvicerane sekuestruan dokumente dhe të dhëna në selinë e FIFA-s më 27 maj të vitit 2015 – ditën kur zyrtarët e futbollit u arrestuan në hotelet e Zuerichit në një hetim të veçantë amerikan për korrupsion. Tri javë më vonë prokurori i përgjithshëm i atëhershëm Michael Lauber tha se 53 transaksione të dyshuara që mund të lidhen me ofertën e Kupës së Botës ishin njoftuar nga bankat në Zvicër. Më shumë se 11 vjet pasi Platini u pagua, FIFA po përpiqet të rikuperojë paratë.
“FIFA ka ngritur një padi civile kundër Blatterit dhe Platinit për t'i rikthyer paratë që janë përvetësuar në mënyrë të paligjshme në FIFA”, tha avokatja e trupit të futbollit, Catherine Hohl-Chirazi, “kështu që ato mund të përdoren për të vetmin qëllim, për të cilin ishte menduar fillimisht – futbollin”.
-
Prokuroria kërkon dënim me kusht për Blatterin e Platinin
-
Blatter dhe Platini përsërisin pafajësinë në dëshminë e tyre në gjykatë
-
Blatter eviton dëshminë në fillim të gjyqit të FIFA-s për mashtrim
-
Blatteri dhe Platini akuzohen për mashtrim
-
Legjenda Platini thotë se nderi i tij është kthyer pas lirimit nga akuzat